Nura: Në përfundim të mandatit tim si Kryetar, dua t’ju them një fjalë të madhe: FALEMINDERIT

Të dashur qytetarë të Skenderajt,

Katër vite më parë mora përsipër një ndër përgjegjësitë më të mëdha të jetës sime – të jem në shërbim të qytetit tonë si Kryetar i Komunës së Skenderajt.

Skenderaji ka qenë gjithmonë më shumë se një komunë – është histori, është sakrificë, është krenari kombëtare. Prandaj, përgjegjësia për ta udhëhequr ka qenë e rëndë, por edhe nderi më i madh i jetës sime publike.

Mandatin tim nuk e kam parë kurrë si privilegj, por si një përgjegjësi të shenjtë.

Nuk kam pretenduar të jem i përkryer, por kam synuar të jem i drejtë dhe i përkushtuar deri në ditën e fundit.

Tani, në përfundim të mandatit tim si Kryetar, dua t’ju them një fjalë të madhe: FALEMINDERIT!

Faleminderit për besimin, për mbështetjen, për kritikat dhe për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve.

Kam pasur privilegjin të punoj me një ekip të përkushtuar dhe qytetarë të jashtëzakonshëm. Së bashku kemi realizuar projekte të rëndësishme në infrastrukturë, arsim, bujqësi dhe shëndetësi. Kemi përmirësuar transparencën dhe kemi rritur pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje.

Nuk ka qenë një rrugë e lehtë. Kishim shumë për të bërë dhe shpesh më shumë pengesa sesa mundësi. Por bashkë, me vullnet, me punë të palodhur dhe me përkushtim arritëm të ndryshojmë shumëçka.

Jam krenar që gjatë këtij mandati kam qëndruar pranë qytetarëve, i qetë përballë kritikave, i vendosur në përmbushjen e detyrimeve dhe i përgjegjshëm në çdo hap të rrugëtimit. Kemi bërë edhe gabime, por asnjëherë nuk kemi humbur drejtimin.

Në kujtesën tonë do të mbesin përgjithmonë ditët e vërshimeve të 19 janarit 2023, kur u goditën shtëpitë, shkollat dhe jeta e qytetarëve tanë. Ato ditë na vranë, por edhe na bashkuan. Ishin ditë kur sytë e qytetarëve kërkonin ndihmë, shpresë e drejtim – dhe ne gjetëm forcën tek njëri tjetri. Ishin ditë kur ndjeva më së shumti peshën e përgjegjësisë, por edhe vlerën e solidaritetit tuaj. E kjo nuk harrohet…!

Krahas sfidave të natyrës, u ballafaquam edhe me pengesa të shumta politike dhe bllokada nga niveli qendror, shpesh me nuanca diskriminimi të hapur. Por nuk u ndalëm. Nuk lejuam që pengesat të na zmbrapsin. Me vendosmëri, me përkushtim dhe me besimin e ndërsjellë, i thyem barrierat dhe i tejkaluam vështirësitë.

Sukseset tona janë dëshmi e qartë se kur qëllimi është i përbashkët dhe vullneti i pathyeshëm, asgjë nuk mund të na ndalë. Bashkë e bëmë të mundur!

Sot, së bashku, po i lëmë Skenderajt më shumë se sa premtime, po i lëmë një qytet më të zhvilluar, më funksional, më të pastër e më dinjitoz:

• Me stacion modern autobusësh, që e lidh qarkullimin me pjesët tjera të vendit.

• Me Muze dhe Bibliotekë të Qytetit, si simbole të kujtesës dhe të dijes.

• Me treg të gjelbër modern, që krijon kushte më të mira për tregtarët dhe konsumatorët.

• Me unaza të jashtme e të brendshme, që lehtësojnë qarkullimin.

• Me parkingje të mjaftueshme, ndriçim publik, kënde modernë për fëmijë, subqendra në bashkësitë lokale dhe dhjetëra vepra publike e artistike që pasurojnë identitetin urban.

• Izoluam e fasaduam 90% të objekteve banesore në qytet si pjesë e premtimeve tona

Brenda kuadrit ligjor, ndërtuam politika lehtësuese për bizneset, për të nxitur ekonominë lokale, ndërsa kemi aplikuar masa specifike për zbatimin e planit urbanistik, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Gjatë këtyre viteve kemi investuar fuqishëm në rrugë, ura, kanalizime dhe ujësjellës në shumë lagje e fshatra, duke e bërë zhvillimin të ndjeshëm.

Kemi fuqizuar ndërmarrjet lokale publike, që qyteti të jetë më i pastër, më i gjelbër dhe me menaxhim më të mirë.

Kemi përmirësuar ndjeshëm shërbimet publike, në shëndetësi dhe në arsim.

Me përgjegjësi e kujdes, e kam përfaqësuar Skenderajn në çdo forum zyrtar, duke ruajtur gjithmonë dinjitetin e historisë sonë.

Prandaj, largohem nga kjo detyrë me ndjenjën e përmbushjes. Mbi 90% të premtimeve të dhëna para qytetarëve i kemi realizuar. E di se ka ende shumë për të bërë, por jam i bindur që Skenderaj do të ecë përpara, me hapa të sigurt, nën udhëheqjen e Kryetarit të ardhshëm, z. Sami Lushtaku.

Skenderaj është dhe do të mbetët përjetësisht pjesë e jetës sime.

Kontrolloni gjithashtu

Blegtoria është sektor që po merr dinamikë zhvillimi në komunën e Rahovecit

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi dhe nënkryetari, z. Fatmir Iska kanë vizituar …