Zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës po rikthehet në fokus të skenës politike, ndërsa partitë opozitare po shprehen të hapura për diskutime, por pa pranuar votim pa marrëveshje politike dhe konsensus ndërpartiak. Përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë theksuar se aktualisht nuk ka emra konkretë në tavolinë dhe se procesi duhet të nisë me propozime zyrtare, duke ia lënë përgjegjësinë fillestare partisë fituese të zgjedhjeve. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka deklaruar se nuk mund të diskutohet për kandidatura pa pasur propozim formal dhe marrëveshje politike mes subjekteve parlamentare. “Ne nuk mundemi me fol për një emër i cili akoma zyrtarisht nuk është propozuar nga askush. Pa marrëveshje politike nuk e votojmë askënd për president të Kosovës”, ka theksuar Behrami, duke shtuar se PDK nuk pranon imponime, por vetëm dialog dhe kompromis për një figurë unifikuese. Nga LDK, anëtari i Kryesisë Bexhet Xheladini ka bërë të ditur se partia ende nuk ka qëndrim zyrtar për çështjen e presidentit dhe se vendimi do të merret në organet drejtuese kur tema të shtrohet zyrtarisht. Ai ka theksuar se LDK është e gatshme për bisedime dhe nuk do të bllokojë formimin e institucioneve. Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie do ta trajtojë çështjen vetëm kur të jetë pikë zyrtare e rendit të ditës në Kuvend, duke theksuar se prioritet aktual mbetet konstituimi i institucioneve dhe formimi i Qeverisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
