Vëzhguesit e OSBE-ODIHR kanë publikuar një raport paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, duke vlerësuar se procesi ishte konkurrues dhe i organizuar në mënyrë profesionale, megjithatë, u zhvillua në një klimë të polarizuar. Në raportin e tyre, ata theksuan se, megjithë qetësinë dhe organizimin e përgjithshëm, pati disa incidente intimidimi në disa qendra votimi, të cilat ndikuan në atmosferën e procesit zgjedhor. Vëzhguesit theksuan gjithashtu se përdorimi i burimeve administrative nga partia në pushtet dhe presionet ndaj zgjedhësve, veçanërisht në administratë, janë disa nga problemet që kanë shoqëruar fushatën. “Zgjedhjet ishin konkurruese dhe profesionale, por ato u zhvilluan në një klimë të polarizuar. Ka pasur incidente të izoluara intimidimi dhe ndikime të mundshme në zgjedhësit, përfshirë mosrespektimin e procedurave dhe transparencës,” tha përfaqësuesja e delegacionit të OSBE-ODIHR. Përfaqësuesit e OSBE gjithashtu vlerësuan rolin pozitiv të SPAK-ut në hetimin e krimeve zgjedhore, duke theksuar se ky institucion ka ndihmuar në frenimin e mundshëm të shkeljeve të tjera. Një nga arritjet e rëndësishme të këtij procesi zgjedhor ishte përfshirja e diasporës në votim, e cila u cilësua si një hap përpara për forcimin e demokracisë në Shqipëri.
