Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në Kosovë ka vlerësuar lartë mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjeve lokale në vend. Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, ka lavdëruar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe të gjithë personelit të angazhuar në organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Në një deklaratë publike, ambasadori McGurk ka përgëzuar kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqin, për menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor të tetorit dhe nëntorit. “Ndërsa mbyllen qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, unë përgëzoj kryetarin Kreshnik Radoniqi, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë ata që u përfshinë në menaxhimin dhe organizimin e procesit zgjedhor,” ka deklaruar McGurk. Ai ka theksuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i institucioneve zgjedhore kanë qenë shembullorë, duke ndihmuar në forcimin e proceseve demokratike në Kosovë. “Profesionalizmi dhe përkushtimi juaj kanë forcuar proceset demokratike në Kosovë. Urime të gjithë kryetarëve të rinj dhe të rizgjedhur – puna juaj me dhe për komunitetet tuaja fillon nesër. Me padurim pres t’ju takoj së shpejti,” ka përfunduar ambasadori McGurk.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
