leoni

Osman Osmani: PKMLSHJ - ORGANIZATORE E KËRKESËS PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS II

Osman Osmani: PKMLSHJ – ORGANIZATORE E KËRKESËS PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS II

DISA NGA VEPRIMET E PKMLSHJ ME 11 DHE 26 MARS 1981

Fakti se PKMLSHJ në strukturat legale kishte njerëzit e vet, deri edhe në Shërbim të Sigurimit të Shtetit të ngarkuar edhe me Universitetin e Kosovës, krijojë një lehtësim të madh për PKMLSHJ për të vu në zbatim strategjinë e vet të veprimit drejtë Republikës se Kosovës. Deri sa njerëzit e PKMLSHJ-së ishin aty, pushtuesi nuk kishte mundësi t‘i parandalonte ngjarjet që pasuan, sepse ajo nuk kishte informata as vlerësime reale të situatës.

PKMLSHJ më pas përmes drejtuesve, aktivistëve dhe anëtarëve të saj morri pjesë aktive në Protestën e 11 marsit 1981 dhe tentoje te plasoje kërkesën për Republike, ndërsa në Demonstratat e 26 marsit, 1, 2 e 3 prillit 1981 në Prishtinë arriti me ua dhënë edhe rrjedhën atyre, si dhe morri pjesë aktive në organizimin e demonstratave tjera që pasuan edhe në qendrat tjera të Kosovës.

  1. MARS 1981

Kuadrat e PKMLSHJ edhe me 11 mars 1981 kanë tentuar që protestën studentore ta orientojnë politikisht duke e provuar të e lansojnë kërkesën për Republikën e Kosovës. Pos meje me 11 mars 1981 në mesin e studentëve ishin edhe dy anëtar tjerë (Adem Zeqir Prapashtica) të Udhëheqjes së PKMLSHJ që njëkohësisht ishin edhe anëtarët të Shtabit Organizativ për Demonstrata të caktuar me 10 dhjetor 1980 në mbledhjen e udhëheqësin ma të ngushtë të PKMLSHJ në Prishtinë. Pranë tyre prezent ishte edhe Fatmir Grajqevci me një grup simpatizuesish nga Prishtina.

Në mes 11 e 26 marsit 1981 nga ana e drejtuesve dhe aktivistëve të PKMLSHJ-së është bërë fare pak gjumë. Ditën duhej vazhdimisht të vizitoheshin tërë fakultetet, qendra e studentëve dhe shkollat e mesme. Të bëhej vlerësimi i gjendjes me drejtuesit dhe të mbaheshin kontaktet me Shtabin për Demonstrata dhe shkëmbeheshin informatat me gjendjen në teren. Në ndërkohë duhej të kryer veprimet e zakonshme, që të lihej përshtypje normale, ndërsa në orët e vona të natës një pjesë e Udhëheqjes  së PKMLSHJ takohej vazhdimisht në bazën e saj ku ishte e vendosur edhe shtypshkronja e partisë. Çdo ditë  përsëritej gati i njëjti ritëm.

25/26 MARS 1981

Me 25 mars 1981 në qendrën e studentëve në Prishtinë nga studentët e rrezikuar për t’u burgosur për shkak të protestës së 11 marsit u vendos që të nesërmen të organizohet një Miting ku kërkesë kryesore s‘do të ishte dhënia e garancive për mos arrestim të mëtejmë të pjesëmarrësve në protestën e 11 marsit. Kështu me 26 mars 1981 u dha rasti i volitshëm dhe ai duhej të shfrytëzohej mirë. Në mëngjes anëtari i Shtabit  Organizativ për  Demonstrata me një ekip të aktivistëve hyri në mesin e studentëve. Ata (Osman Osmani bashkë me shokët e tij që nga shkolla e mesme Adem Krasniqi e Osman Bytyqi, pastaj Adem Prapashtica, Nazmije Syla e Fahrije Osmani me shokë e shoqe të tyre, etj.) shumica aktivistë e simpatizantë të Organizatës edhe vet ishin studentë, për një kohë të caktuar krijuan atmosferën e duhur edhe e realizuan detyrën e vet me sukses. Ata ishin konspirativ dhe aq sa mundën pa u eksponuar personalisht lansuan kërkesën për Republikën e Kosovës dhe qëndruan në mesin e studentëve derisa demonstrata u sulmua dhe u shpërnda nga Njësia Speciale e Beogradit. Në ditët që pasuan në rrugët e Prishtinës po zhvilloheshin demonstratat nga ma të mëdhatë deri atëherë, tani me qytetar kryesisht prishtinas, sepse studentët dhe shkollarët e shkollave të mesme ishin tërhequr në shumicë nga kryeqyteti për në provincat nga vinin.

Ngjarjet e natës së 25 dhe të mëngjesit  të 26 marsit 1981 nuk u shkëputën fare as në Qendrën e Studentëve e as në strukturën e institucioneve Komunale të LK të Kosovës, në krye me Asllan Fazlin,  që po e përpunonte strategjinë politike për mëngjesin e 26 marsit 1981. SKPB i Kosovës dhe SPB të Prishtinës ishin angazhuar menjëherë me forcat e veta të armatosura rreth Qendrës së Studentëve. Milicia e postëkomandave nga të gjitha qendrat e Kosovës në diskrecion u bashkëngjitë atyre të kryeqendrës dhe ashtu të struktura në rrugët anësore  rreth Qendrës së Studentëve po pritnin mëngjesin.

Gjatë 26 marsit 1981 angazhimi konkret rreth dhënies kahe atyre dhe shkuarja e parullave nëpër çarçafë (shtretërish) që shërbyen si transparente.

Më 1 prill 1981 shpërndarja e „Listën e parullave revolucionare“8, të cilat duhej brohoritur gjatë demonstratave, si dhe nëpër rrugët dhe në qendër të Prishtinës u shkruan parulla për Adem Demaçin.

Deri më 14 prill 1981, në nëntë raste shpërndarja e pamfleteve, trakteve revistave dhe shkresave dhe letrave të ndryshme edhe përmes postës (Në mes tjerash edhe SHKRESA drejtuar Sekretariateve Komunale dhe atyre Krahinore).

Letrat e PKMLSHJ janë adresuar në adresë të Titos, Fadil Hoxhës, Mahmut Bakallit, Xhevdet Hamzës, Ali Shukriut etj., si dhe në emër të institucioneve, varësisht nga kompetenca e instancave. PKMLSHJ ka biseduar edhe me kuadro tjera të LK për angazhimin e tyre në PKMLSHJ dhe në shumë raste është hasur në mirëkuptim. Ka pasur raste që nuk kanë pasur guxim që të angazhohen, por megjithatë e kanë ruajtur konspiracionin rreth PKMLSHJ dhe kanë mbetur vetëm simpatizues ose dhe këshilltarë për çështje të ndryshme. Por, ka pasur edhe intelektual të tillë që na kanë dëshpëruar fare duke u bërë vegla të Azem Vllasit e Rrahman Morinës dhe që kanë marrë pjesë aktive në diferecimin e kolegëve të tyre dhe janë angazhuar kundër kërkesës për Republikën e Kosovës.

Në nivel udhëheqësish të PKMLSHJ, pavarësisht se nga kush ka ardhur propozimi apo projekti i ndonjë letre a dokumenti, ato dokumente janë konsideruar si të përbashkëta, Nganjëherë i ka shkruar Abdullah Prapashtica, Osman Osmani me Nysret Ahmetin, Martin Quni, apo ndonjë tjetër. Instancat e ndryshme të PKMLSHJ kanë pasur të drejtë të trajtojnë probleme të ndryshme në suaza të programit të saj, dhe nuk kanë pasur nevojë të konsultojnë udhëheqjen e PKMLSHJ, sepse e kanë pasur pëlqimin programor për punë me vetiniciativë, prandaj nuk dihet gjithmonë saktësisht se kush janë autorë të të gjitha dokumenteve. Edhe pse PKMLSHJ ka pasur vetëm një arkiv, ato dokumente gjenden së paku në pesë arkiva të Beogradit, kështu që ato dokumente herët a vonë mund dhe duhet t‘i vihen opinionit në dispozicion.

27 MARS 1981, FERIZAJ

Në mbledhjen e zhvilluar në Ferizaj me drejtuesit dhe aktivistët e atjeshëm, pjesa e PKMLSHJ për Ferizaj vendosi që të dielën e datës 29 mars 1981, dita e paraparë për parakalimi i stafetës, të organizohej demonstrata. Ishin bërë të gjitha përgatitjet që të fillonte demonstrimi me kërkesën për Republikë. Ishin shkruar pllakatet e dyfishta, në njërën anë për Titon dhe stafetën e tij, ndërsa prapa tyre kërkesat si; Kosova – Republikë, Liri, Barazi, Drejtësi, etj. Shtabi Organizativ i Demonstratave një ditë përpara nga Prishtina në Ferizaj kishte dërguar anëtarin e vet (Osman Zenel Osmanin), i cili me veti kishte sjellë edhe afishen në të cilën ishin shkruar parollat që duhej brohoritur nga demonstruesit. Ishin siguruar edhe „petardët“ të cilët do të shënonin edhe fillimin e demonstrimit. Fitim Ramadani, i cili do ta barte për një kohë stafetën, ashtu si ishim marrë vesh, në momentin e caktuar do ta  hidhte duke e thyer për toke. Në binën e qytetit ku do të mbaheshin fjalimet për stafetën, ishte caktuar një anëtar i shoqërisë kulturo-artistike „SHKA Kastriotët“, që nga bina me mikrofon të brohoriste: Kosova Republikë!

Shërbimi i Shtetit, UDB-ja famëkeqe, kishte ndërmarrë masa për të shuar me gjak këtë demonstratë. Abdullah Prapashtica, njëri nga drejtuesit e Shtabit Organizativ në Prishtinë, dërgoi nga Prishtina një kuadër duke kërkuar me ngulm  që demonstrimi të shtyhej për të evituar një gjakderdhje me përmasa të mëdha. I të njëjtit mendim ishte edhe Ramadan Haziri me të cilin gjatë vitit 1980 ishin  këmbyer mendime rreth kërkesës për republikë. Në takimin që u zhvillua më pas u vendos që demonstrata të shtyhej për 4 prill 1981.

Në ndërkohë u bë e njohur se Sigurimi do ta mbyllë tregun të shtunën e datës 4 prill 1981, se do të ndalonte autobusët me nxënës për të hyrë në Ferizaj, e tërë kjo për ta penguar demonstratën. Arsyeja e dytë ishte se punonjësit e fabrikës së drurit „Tefik Çanga“ në Ferizaj, kishin filluar një grevë dhe kërkonin  autobusë për të shkuar në Prishtinë dhe për të protestuar kundër dhunës së pushtetit ndaj studentëve shqiptarë me 26 Mars 1981. Në krye të tyre ishin Rashit Mehmeti, Milaim Jashari, Rizah Matoshi e të tjerë.

Kjo ishte arsyeja që grupi organizativ në përbërje të ngushtë vendosi që demonstrata të fillonte me 3 prill, në kohën mes ndërrimeve mësimore të shkollës, kohë që përkiste edhe me ndërrimin e punëtorëve nëpër fabrika. Vendimi i shpejtë bëri që dy- tre pjesëtarë të PKMLSHJ-ës të mos informoheshin me kohë për këtë ndryshim. Megjithatë kjo nuk kishte rëndësi për të tërën, sepse lëvizjet ishin aq dinamike sa mungesa të vogla nuk mund të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve.

Në gjithë këtë organizim të përpiktë të aëtarit të KQ të PKMLSHJ Faton Topallit, rolin vendimtar kishin luajtur Fatmir Bajrami, dëshmori Afrim Abazi, Naim dhe Fitim Ramadani, Imri Ilazi dhe shumë aktivistë e aktiviste të tjera të Organizatës. Drejtuesit kryesor të kësaj veprimtarie në bashkëveprim ndër të tjerë edhe me Teuta Zymberin, Hanumshahe dhe Isak Begeshollin, Mikreme Demirin, e të tjerë përbënin rrjetin, i cili do të përhapte kushtrimin për shpërthimin e demonstratës në Ferizaj.

Gjatë demonstratave që u zhvilluan më 3 prill në Ferizaj, në krye të demonstratës me flamur printe Nexhat Tërstena, pas tij flamurin e bartën e reja Vezire Kiki dhe më vonë Afrim Abazi, i cili u burgos me 11 mars 82 gjatë përgatitjes së shënimit të njëvjetorit të demonstratave dhe më pas ky dëshmor u mbyt5 me torturë nga kriminelët e UDB-së gjatë hetimeve më 19 mars 1982. Në këto demonstrata ranë dëshmorë Sherif Frangu dhe Riza Matoshi, kurse u plagosen dhjetëra qytetarë.

Organizata për Republikë – PKMLSHJ, para së gjithash përmes Faton Topallit e Fatmir Bajramit, të mbështetur edhe nga Ramush Topalli, zgjerojë rradhët dhe rrethin në vazhdimësi dhe periudha të ndryshme kohore me bashkëveprimtarë tjerë të shumtë, si me: Lumnije Azemin, Afrim Abazin, Sevdije Gjinolli, Naim Ramadanin, Fatime Gjinollin, Nysret Behlulin, Naim Nuredinin, Imrane Abdullahun, Fatmir Hysenin, Rafiz Halitin, Kadrijen Gashin, Shyqeri Gjinollin, Vehadin Azemin, Shukri Musliun, Nazim Azemin, Xhavit Hazirin, Daut Azemin, Hamzë Azemin, Fehmi Hajrullahun, Imri Ilazin, Sejdi Sejdiun, Agron Ramadanin, Nazmi Shahinin, Shaip Veselin,  Imer Shahinin, Ali Bibën, Arif Shahinin, Reshat Gashin, Ruzhdi Shahinin, Fatmir Avdullahun, Hysen Shehun, Xhevahire Avdullahun, Nasek Kukën, Islam Vishin, Xhevahire Rrahmanin, Halit Osmanin, Muhabi Azemin, Xhemajl Rashitin, Ismet Azemin, Skender Hajdarin, Fahrush Hajrullahun, Skender Emërllahun, Gazmend Bajrën,Teuta Vincën, Skender Sopën, Aziz Vishin, Hasan Selimin, Bajram Shaqirin, Ferinaze Isufin, Naim Hajrullahun, Hyzri Osmanin, Selim Deliun, Fatrmir Abdylin, Naim Sadikun, Florije Hajrullahun, Shahadije Nezirin, Fatmir Nezirin, Nadije Ramadanin e shumë të tjerë.

28 MARS 1981

PKMLSHJ në Qendrën e Studentëve me 28 mars 1981, organizoi përmes Osman Osmanit dhe Nazmije Syles një tubim me studentët që kishin mbetur aty. Shumica e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme ishin kthyer në vendlindjet e veta nëpër qendrat e tyre anë e mbanë Kosovës. Porosia e PKMLSHJ përmes bisedave të zhvilluare me aktivistë ishte që ata të shkojnë në vendbanimet e tyre (në fshatra, qyteza e qytete ku i kishin familjet e veta) dhe t´i tregojnë popullit se ç´kishte ndodhur me 11 dhe 26 mars në Prishtinë dhe të përpiqen të organizojnë protesta e demonstrata me kërkesën për Republikën e Kosovës duke e ndjekur  shembullin e Prishtinës.

Me shkollarët e shkollave të mesme në Prishtinë, sipas marrëveshjes në Shtabin Organizativ u bisedua dhe u dhanë instruksione se si duhej vepruar gjatë ditëve të ardhshme. Strategjia ishte e njëjtë po si në Ferizaj edhe këtu preferohej që ditët e ardhshme  gjatë pushimeve të gjata nëpër oborret e shkollave të këndoheshin këngë patriotike dhe revolucionare, për të mbajtur atmosferën e ndezur, ndërsa po sa të vinte lajmi se ka demonstrim në Qytet, atëherë të pritej koha e ndërrimeve dhe të shkaktohej marshimi i përbashkët në drejtim të qendrës së qytetit. Për bisedë me punëtorë ishte i angazhuar anëtari i Shtabit Organizativ, Osman Maqedonci, i cili edhe ka vepruar në mënyrë të ngjashme.

ROLI  HISTORIK I HERONJVE TE PANJOHUR

Pas largimit të studentëve nga Qendra e Studentëve të Prishtinës me 28 mars 1981 dhe kthimit të tyre në vendbanimet e veta, ata nëpër rrethet e tyre së bashku me nxënësit e shkollave të mesme, punëtorinë dhe fshatarësinë vepruan de arritën për t’i zgjeruar demonstratat në gjithë Kosovën. Sigurisht se roli i PKMLSHJ dhe i grupeve dhe organizatave tjera ilegale në këtë kohë ishte prirës, por ato ishin tepër të vogla për punë me një lëvizje aq të madhe të popullatës, e cila morri pjesë masovikisht në demonstratat që pasuan më pastaj. Demonstratat e më vonshme i orientoi mirë vet kursi politik i kërkesës për Republikën e Kosovës, e posaçërisht intuita e vullneti i shqiptarëve në përgjithësi për veprime atdhedashëse si dhe roli i individëve anonim dhe aftësitë e tyre për orientimin  e organizimin e masave në lëvizje e sipër. Rolin e këtyre herojve të pa njohur  nuk duhet harruar kurr, sepse ata me zgjuarsi plotësuan çdo zbrazëti të prezencës të forcave ilegale. Kjo sidomos do të vjen në shprehje në demonstratat e 1, 2, 3 prillit 1981 dhe më vonë.

Pas intervenimit ushtarak dhe sjelljes ndaj kërkesave dhe demonstratave, si dhe pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe pas refuzimit  të kërkesës për Republikës së Kosovës si kërkesë „kundërrevolucionare“ nga ana e LKJ dhe të federatës si tërësi, nuk mbeti tjetër rrugë pos përgatitja e kundërofensivës në fushën politike u pa se realizimi i Republikës Shqiptare në ish-RSFJ nuk do të mund të arrihej pa shumë gjak. Përpara PKMLSHJ doli detyra t‘i jep përgjigje kërkesave të kohës. Në radhët e saj u shtrua edhe çështja e shkallëzimit të demonstratave në lëvizje çlirimtare me propozim që nga një numër relativisht i madh njerëzish që gjendeshin në arrati të krijohen aradhet e armatosura dhe që në kufi me Shqipërinë të krijohet një territor i lirë nga i cili do të fillonte lufta çlirimtare. Udhëheqja e PKMLSHJ-së në konsultim me Skender Ibishin, ish-oficer në APJ dhe i ngarkuar në Udhëheqjen e PKMLSHJ me çështje ushtarake, i cili ishte kompetent për të thënë fjalën e fundit dhe vendimtare mbi këtë çështje. Skender Ibishi pas shtjellimit të problemit dhe shtrimit të një tabloje të gjendjes ushtarake në ish-RSFJ, në Shqipëri dhe mbi situatën në regjion na bindi se raporti i forcave ushtarake nuk është në favor tonin dhe se ne duhet të vazhdojmë aktivitetin tonë në fushen politike. Fjala e Skender Ibishit, si Këshilltar për çështje ushtarake ishte vendimtare dhe Udhëheqja e PKMLSHJ e miratoi qëndrimin e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …