Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së urrejtjes që u dëgjua në një ndeshje në Kumanovë, ku tifozë maqedonas bënin thirrje për futjen e shqiptarëve në dhoma gazi dhe për vrasjen e tyre. Në një komunikatë për medie, OVL e UÇK-së thekson se këto thirrje janë provokim i rrezikshëm dhe cenim i të drejtave themelore për të cilat është zhvilluar luftë në Maqedoninë e Veriut. Sipas kësaj organizate, sporti duhet të jetë hapësirë bashkimi, jo urrejtjeje, dhe se veprime të tilla rrezikojnë kohezionin shoqëror. OVL e UÇK-së u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të reagojnë ashpër dhe të dënojnë qartë këto akte. Në fund të reagimit theksohet se heshtja përballë gjuhës së urrejtjes është një formë bashkëfajësie, ndërsa paqja dhe stabiliteti janë përgjegjësi e çdo shteti që aspiron integrim demokratik.
