OVL e UÇK-së kundër vizitës së Kryetares së Gjykatës Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit për vizitën e Kryetares së Gjykatës Speciale në Prishtinë më 13 maj, duke e cilësuar këtë vizitë si një “provokim të qëllimshëm” dhe “fyerje ndaj luftës çlirimtare”. Sipas një deklarate për media, OVL e UÇK-së e konsideron datën e vizitës – 13 maji – si thellësisht problematike, duke e lidhur atë me ngjarje historike të dhimbshme për shqiptarët. “13 Maji është një datë e zezë në historinë tonë – dita e themelimit të UDB-së dhe e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Të vish në këtë datë, me një agjendë të njëanshme dhe pa ndjeshmëri historike, është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo familje dëshmori,” thuhet në reagim. Organizata ka përsëritur kritikat e saj ndaj Gjykatës Speciale, duke e akuzuar për trajtim të pabarabartë dhe ndjekje të njëanshme vetëm ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërkohë që krimet e pretenduara të forcave serbe mbesin jashtë llogaridhënies. “Gjykata Speciale është padrejtësi e institucionalizuar… ajo nuk sjell drejtësi, por hakmarrje politike,” thuhet më tej.

Kontrolloni gjithashtu

Kurti refuzon qeverinë tranzicionale: “duam qeveri normale, jo paradokse opozitare”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hedhur poshtë propozimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, …