OVL e UÇK-së nderon me Dekoratë post-mortum profesor Ahmet Qeriqin

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, nën udhëheqjen e kryetarit Hysni Gucati, i ndau Dekoratën post-mortum profesor Ahmet Qeriqit, ish-drejtorit të Radio Kosova e Lirë, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shërbim të çështjes kombëtare dhe mbështetjen e palëkundur ndaj luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dekorata u nda me motivacionin:
“Për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare dhe veprimtarinë e jashtëzakonshme në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së.”

Në një ceremoni të organizuar në nderim të jetës dhe veprës së profesor Ahmet Qeriqit, Dekoratën e dorëzoi kryetari i OVL-së së Familjeve të Dëshmorëve, z. Xhavit Jashari, ndërsa në emër të familjes, atë e pranoi me mirënjohje djali i profesorit, Epir Qeriqi.

Gjatë ceremonisë, u theksua se profesor Ahmet Qeriqi mbetet një nga figurat më të rëndësishme të informimit dhe propagandës gjatë luftës çlirimtare, i njohur për përkushtimin e tij të pashoq në përhapjen e së vërtetës për sakrificat dhe përpjekjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Z. Xhavit Jashari, gjatë dorëzimit të Dekoratës, vlerësoi profesor Ahmet Qeriqin si një personalitet të rrallë që përjetësisht do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar për rolin e tij jetik në dokumentimin dhe përhapjen e të vërtetës për luftën çlirimtare dhe sakrificën e dëshmorëve të kombit.

Familja Qeriqi shprehu mirënjohje të thellë për këtë vlerësim të lartë, duke falënderuar Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për nderimin dhe vëmendjen e vazhdueshme ndaj veprës së profesor Ahmet Qeriqit.

Lavdi jetës dhe veprës së profesor Ahmet Qeriqit!

Kontrolloni gjithashtu

Afati për presidentin po afrohet, institucionet ende pezull

Kosova po hyn në një fazë të ndjeshme institucionale, ndërsa 4 marsi afati i fundit …