Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për të pranuar si prova dokumente që thuhet se vijnë nga institucione të sigurisë dhe strukturat ushtarake të Serbisë.
Në një deklaratë publike, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe si një tjetër arsye për të protestuar kundër, siç thuhet, padrejtësive që po u bëhen ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot, Gjykata Speciale pranoi si prova dokumente të dorëzuara nga institucionet më famëkeqe të aparatit shtetëror serb: Departamenti i Sigurisë Shtetërore, Ministria e Brendshme e Serbisë (MUP) dhe Komanda për ‘Kosovën dhe Metohinë’. Ky veprim i jep besueshmëri një aparati që ka kryer krime të dokumentuara në Kosovë,” thuhet në reagim.
Si shenjë kundërshtimi, OVL-UÇK ka paralajmëruar protestë më 7 gusht në orën 17:00, duke ftuar të gjitha kategoritë e dala nga lufta të bashkohen kundër, siç u theksua, përpjekjeve për rishkrim të historisë nga “dokumentet e dhunuesit”.
“Kategoritë e dala nga lufta nuk do të heshtin,” thuhet në fund të deklaratës.