OVLUÇK e quan arrogante dhe fyese vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vizitës së paralajmëruar në Kosovë të kryetares së Trupit Gjykues të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, duke e cilësuar atë si një veprim arrogant, fyese dhe të papranueshëm për ata që sakrifikuan për lirinë e vendit. OVLUÇK thekson se vizita është e organizuar nën fshehtësi të plotë, pa praninë e qytetarëve apo mediave, gjë që sipas tyre bie ndesh me parimet e transparencës dhe llogaridhënies. “Kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë. Përkundrazi, ajo është një përpjekje për të shmangur përballjen me opinionin publik dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike”, thuhet në reagim. OVLUÇK, bashkë me Shoqatën e Invalidëve të Luftës  dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve , e cilësojnë vizitën si vazhdim të padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndërsa kritikojnë Gjykatën për heshtje ndaj krimeve të kryera nga forcat serbe. Organizatat i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të mos bëhen pjesë e kësaj “fasade”, ndërsa ftojnë opinionin publik, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe të historisë së luftës për çlirim. “Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, po ashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut,” përmbyllet reagimi.

Kontrolloni gjithashtu

Pal Lekaj kritikon kontratat e qirasë së veturave: “Shpërdorim i parasë publike dhe mungesë transparence”

Nënkryetari i AAK, Pal Lekaj, ka reaguar ashpër ndaj praktikës së institucioneve shtetërore për marrjen …