leoni

Shtëpia botuese, NOVUM, ka botuar në gjuhën gjermane, romanin, "Der Stein des Eides" (Guri i Betimit) vepër e autorit, Ahmet Qeriqi

Parathënia e romanit, “Guri i Betimit”, i cili u botua në gjuhën gjermane nga Shtëpia Botuese, NOVUM

E kaluara shqiptare, sidomos periudha e Mesjetës, ende nuk është studiuar me një metodologji të përparuar shkencore, duke u mbështetur, sidomos  në të dhënat e dëshmitë që i ka ruajtur koha. Përhapja e literaturës serbe e sllave përgjithësisht, e botuar dhe e shpërndarë në vendet e Evropës e më tej, në masë ka ngulitur  ” të vërtetën serbe e sllave”, mbi Kosovën, e cila mbështetet kryesisht në mohimin dhe deformimin e së vërtetës, në krijimin e mitit e faktorit serb, përjashtimin e ekzistimit të popullatës  shqiptare gjatë mesjetës në Kosovë dhe në vise të tjera, mohimin e autoktonisë ilire-arbëreshe-shqiptare, stigmatizimin e shqiptarëve në përpjekje për t’ i paraqitur mbetje turke e aziatike, urrejtjen morbide, kolektive kundër tyre, edukimin e frymëzimin e brezave për asgjësimin e “arnautëve”, që më vonë ka rezultuar me program shtetëror për shfarosje kolektive të shqiptarëve, dëbim nga trojet, vrasje masive dhe pastrim etnik, dëbim të dhunshëm për në Turqi, mohim të çdo të drejte kombëtare e njerëzore, sidomos  prej vitit 1912 deri në vitin 1941.

 

Vetëm në periudhën prej vitit 1945 deri në vitin 1989, shqiptarët në Kosovë e më gjerë gëzuan të drejta të autonomisë pak më shumë se kulturore, por edhe ato të drejta u abroguan në  vitin 1989 dhe regjimi serb riktheu porositë mitike të Kishës serbe për zhdukjen masive të shqiptarëve, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, porosi  të cilën e vuri në zbatim regjimi i Milosheviqit, sidomos në vitet 1998-1999, që krahas luftës çlirimtare të shqiptarëve etnikë rezultoi edhe me intervenimin e NATO-s, me qëllim për ta penguar gjenocidin dhe shfarosjen kolektive  të një kombi. 

Kjo kronikë historike, letrare, është një përpjekje për pasqyrimin objektiv të rrethanave politike e shoqërore, të kanë ekzistuar  në gjysmën e dytë të shekullit 13-të, me qëllim  për ta njëzuar kronikën e ngjarjeve historike me segmentin letrar, imagjinar, që rrjedhë nga tërësia e ballafaqimit të fakteve reale, dokumentare e historike. Pikërisht për këtë segment, jam përcaktuar për këtë formë të trajtimit të disa ngjarjeve historike të periudhës së Mesjetës, meqë konsideroj se paraqitja vetëm e fakteve si të tilla, nuk mjafton për të nxjerrë edhe përfundime  të caktuara, dëshmi e argumente që kanë rrjedhë ndër shekuj dhe që mjerisht kanë lënë porosi tejet armiqësore nga  rashjanët e mesjetës, që më vonë u quajtën serbë, por edhe sllavët përgjithësisht, të cilët qysh me rastin e dyndjeve  nga përtej Karpatet, nga fillimi i shekullit VII dhe vendosjen e tyre të dhunshme në Ilirikun e kohës, kryen barbari të pashembullta, ndërsa me krishterimin ata u takuan dhe e pranuan në shekullin 11-të, derisa iliro-dardanët e kishin përqafuar qysh në periudhën apostolike e pas apostolike.

Kjo kronikë historike letrare, është rezultat i studimeve të mia shumëvjeçare për Mesjetën, jo vetëm në burime serbe e evropiane, por edhe në burime turke, greke, raguziane, shqiptare, pastaj në kujtesën historike shqiptare, konkretisht në eposin e këngëve të Luftës së Kosovës, në fragmente të letërsisë popullore, të këngëve të tilla, të cilat shkolla folklorike shqiptare i ka trajtuar si këngë legjendare, edhe pse ato janë këngë historike me disa elemente legjendare.

E vërteta shqiptare për Mesjetën e hershme,   për atë periudhë  të errët të historisë, sikur është thënë zakonisht,  ende është fragmentare, ndërsa historianët shqiptarë të Mesjetës, përveç dr. Muhamet Tërnavës, gati të gjithë përgjithësisht  pranojnë versionin serb për Luftën e Kosovës, meqë ashtu kanë mësuar dhe janë pajtuar, duke pretenduar se ajo çështje është e mbyllur përgjithmonë. Po ashtu pranimi i islamit nga shumica shqiptare, është një fakt tjetër i anashkalimit të kryetrimit shqiptar të mesjetës, Milush Kopiliqi, për shkak se kishte  arritur ta vrasë  Sulltan Muradin e Parë, më 15 qershor të vitit 1389. Ky akt,  gjatë shekujve ishte trajtuar si tradhti, nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të konvertuar. Madje ka pretendime, nga disa historianë shqiptarë,  që atë  personazh ta paraqesin si martir,  të cilin e kanë mbytur serbët, ose bijtë e tij, duke përjashtuar fare edhe ekzistencën e heroit shqiptar të Mesjetës,  Milush Nikollë Kopiliqi.

Mbi atë realitet mbizotërues të kohës, kam fokusuar gjendjen e shqiptarëve në mesjetë, veçmas në rajonin e Drenicës (Drenisës) nga ku kishte origjinën edhe kryetrimi i kohës, Milush Nikollë Kopiliqi ( Mirosh Nikollë Danai) personash i historisë së kohës,  por edhe i ciklit të këngëve historike shqiptare  të Luftës së Kosovës. Personazhet e veprës janë kryesisht historikë, por edhe të sajuar me imagjinatë, meqë këtë e lejon praktika letrare, me qëllim për të sajuar  një qasje të tillë të kundrimit të realitetit objektiv nga këndi subjektiv.

“Guri i Betimit” është ndarë në gjashtë pjesë, që përfshijnë një periudhë kohore prej vitit 1345 deri në qershor të vitit 1389. Po ashtu, secila pjesë ka kryesisht nga pesë kapituj të inkorporuar në tërësinë e veprës,  që ndihmon lexuesit për të mos harruar rrjedhën e ngjarjeve. Me qëllim të përshkrimit sa më autentik të ngjarjeve, në pjesët e para të veprës,  gjatë dialogut kam përdorur gjuhën arkaike të kohës, shqipen e pretenduar të kohës, para  Gjon Buzukut, sidomos në dialogun e personazheve. Këtë metodë në komunikimin e personazheve e kam përdorur edhe në romanin historik, “Koha e jeniçerëve”.

Një vend me rëndësi u kam kushtuar njerëzve të thjeshtë të dalë nga populli, të cilët kanë arritur të bëhen pjesë e historisë së qëndresës, me qëllim për ta ruajtur identitetin e dinjitetin njerëzor, pa aspiruar grada e favore, por thjesht për ta ruajtur jetën në liri, besën, mikpritjen fenë e të parëve dhe moralin e kohës. Jam përpjekur të tipizoj e  të përgjithësoj një “gardë” personazhesh nga gjiri i popullit si: Damjan Tushiliani, (Damjanusi), Bdek Zografi, Mark Gjetani, Gjerasim Gjetani, Janina Nikoni, Prenk Nikollë Mati, Mark Elusiani, pastaj priftërinj popullorë, por edhe personazhe të botës tjetër kundërshtare,  sinonime të dhunës e së keqes si  Stefan Nemaja, Mbreti Millutin, Vukani i Dimitrisë, Ati Aleksej, e dhjetëra të tjerë.

Në  këtë vepër,  ka dhe personazhe të shumta historike si Mirosh Nikollë Danai, prijësit e mbretërit rashjanë,  Stefan, Millutin,  Dushan, pastaj Sulltan Muradi i Parë, Sulltan Bajazidi, Mbreti, Llazar Hebrelani, Vuk Brankoviqi, Gjergj Ballsha i Dytë, Gjon Kastrioti,  Mojsi Arvanitasi, Vukashini e Uglesha, Haxhi Yllbegu, Lala Shahini, e shumë të tjerë.

Dimensionet historike, letrare e artistike janë paraqitur kryesisht brenda imazhit realist të kohës dhe hapësirës,  por duke inkorporuar edhe botën tjetër, sidomos atë të konspiracionit, spiunazhit, kurdisjeve e mbi të gjitha përpjekjet e Romës e të Vatikanit për të ruajtur zotërimet e tyre, pas skizmës së vitit 1053 veçmas pas kryqëzatave dhe ballafaqimit me turqit.

 

Kronika historike letrare, “Guri i Betimit” është një vepër krejtësisht e veçantë në letërsinë shqipe, e cila trajton po ashtu një ngjarje madhore sikur ka qenë, qëndresa heroike shqiptare kurdoherë,  gjatë së kaluarës historike, por edhe indolenca mjaft e shprehur e një pjese, për ta injoruar e për ta anashkaluar të kaluarën, për shkaqe të ndryshme, ideologjike, fetare e politike.

Një vend me rëndësi në këtë roman, i kam kushtuar edhe Luftës së Kosovës së 15 qershorit të vitit 1389, dimensionit të saj historik, akuzave para betejës për tradhti drejtuar,  Milush Kopiliqit, tradhtisë së Vuk Brankoviqit e Gjergj Ballshës, vrasjes së Sulltan Mradit të Parë, prerjen e kokës së Milush Kopiliqit, vrasjes së mbretit, Elezar Hebrelani,  pranimit të vasalitetit nga Vuk Brankoviqi dhe shumë të tjerë. Beteja është përshkruar me një dimension të gjerë në logun e luftimeve, në prapavijë, duke pasqyruar  veprimet luftarake, mashtrimet, sulmet e befasishme, pastaj tërheqjet, mësymjet e zhvillime të njohura, të bazuara edhe në dokumente e argumente historike të kohës.

Rrëfimi historik është pasuruar edhe me elemente e motive të rrëfimeve popullore, veçmas duke u mbështetur në disa variante të këngëve të eposit shqiptar, por edhe atij serb, duke i demitizuar disa të dhëna që nuk i qëndrojnë realitetit historik, sepse miti dhe historia  nuk janë e njëjta gjë, ndërsa jam përpjekur  të bëj edhe “çlirimin ” e tyre nga hiperbola, në gjendjen e besueshme, reale, nga imagjinata e stërmadhimi, i kam  “ulur në tokë” në kufij të realitetit.

 

Ky roman historik na kthen në një botë të veçantë. Në një  segment të vrojtimit, pasuron aspektin krijues letrar, me qëllim për të sjellë të dhëna të shumta historike, të dhëna nga kujtesa e ruajtur për më shumë se gjashtë qind vjet, të prezantuara para lexuesit si një botë mes historisë dhe imagjinatës, e cila është e ndërlidhur, në saje të fakteve të njohura, edhe të reja,  që janë rezultat u hulumtimit tim si dhe kondenzimit të kësaj lënde në një tërësi organike.

“Guri i Betimit”,  është një histori e rikthyer në kujtesë për Motin e Madh, për Mesjetën, e cila në një kohë të caktuar, është  bërë përpjekje të harrohet, por koha e ka rikthyer, sepse koha lanë e shpërlanë të kaluarën  dhe është gjykatësi më i mirë dhe i pa zëvendësueshëm,  për të venë gjithçka në vendin e vet. Koha edhe mënon, por kurrë nuk harron. Në mos më shumë ajo ruan fragmente, detaje, dromca, toponime, antroponime, të cilat  rikthejnë në kujtesë një të kaluar, sado e largët qoftë ajo. Toponimet e ruajtura gjatë shekujve si: Kroni i Mbretit dhe legjenda për rrjedhën e ujit nga guri, Gazimestani, Tyrbja e Sulltan Muradit të Parë, “Varri i pretenduar i Milush Kopiliqit në Rezallë”, “Bunari i Milloshit”, në Kopiliq të Epërm dhe të Poshtëm, Kapella e varrezave të Mesjetës, në Kopiliq të Epërm, Guri i Varrimit, në Likoc, janë fakte të mbetura fizike, që nuk mund të injorohen. “Guri i Kopiliqit” në Rezallë, tri artefakte të kohës ilire romake, të gjetura në Kopiliq e që ruhen, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj, Guri i Madh  katror, i skalitur me mjeshtëri dhe me shkronja të panjohura i Kopiliqit, i zbuluar në vitin 1986, të cilin  e morën serbët dhe nuk dhanë asnjë informatë zyrtare,  nuk janë vetëm relikte por janë pjesa e mbetur fizike, janë “torzot”, fragmentet,   që i kanë shpëtuar dhëmbit të pamëshirshëm të kohës së despotëve, vrastarëve e barbarëve.

Mbi të gjitha më ka bërë dhe më bën përshtypje mbamendja historike shqiptare, ajo mbamendje e rapsodëve popullorë, të cilët nga brezi në brez ruajtën rrëfimet e kënduara për Luftën e Kosovës, për trimat e asaj kohe dhe ngjarjet, që janë parë e transmetuar nëpër shekuj deri në ditët tona. Edhe në kohën tonë  pas 630 vitesh rapsodët shqiptarë i këndojnë Luftës së Kosovës. Është vështirë e besueshme të mendohet apo të pretendohet se shqiptarët, madje shqiptarët me besim islam, të kishin ruajtur me shekuj një cikël  prej më shumë se tremijë vargje për  serbët e sllavët e mesjetës, me të cilët i vetmja gjë që  i ka lidhur dhe i lidh ende  është armiqësia e gjatë prej 13  shekujve. Asnjë këngë nuk kanë ruajtur shqiptarët për Luftën e Dytë të Kosovës, të vitit 1448, e cila kishte qenë edhe më katastrofale për Aleancën ballkanike të krishterë dhe në të cilën nuk kishte marrë pjesë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, por as shumica e shqiptarëve të Kosovës. Kam bërë shumë përpjekje që kjo vepër ta kthej në kujtesën tonë kolektive si një ngjarje madhore,  e tillë sikur kishte qenë  Lufta e Kosovës e vitit 1389 dhe pasojat që solli ajo, sidomos për shqiptarët.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 12. 2023

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Drithijet e  Panairit të librit  të 27-të, “Tirana 2024”.

Dje, pas një maratone prej 5 ditësh në Pallatin gjigand të Kongreseve, u mbyll panairi …