Pastrohet ambienti përreth liqenit në Mirushë

Në kuadër të punës së përditshme të njësisë së “Ekoregjionit” në Malishevë, është organizuar edhe një aksion i madh pastrimi i ambientit përreth liqenit në Mirushë dhe lumit Mirusha. Këtij aksioni i janë përgjigjur edhe zyrtarët komunal, të prirë nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Në këtë aksion kanë marrë pjesë mbi 60 punëtor të njësisë së “Ekoregjionit” në Malishevë, bashkë me zyrtarë komunal. Liqeni në Mirushë, është një prej vendeve më të vizituara në Komunën e Malishevës, pas ujëvarave dhe pishinave, por ambienti përreth liqenit është ndotur në masë të madhe gjatë vërshimeve dhe pastrimi i ambientit ka qenë shumë i nevojshëm. Përndryshe, Komuna e Malishevës, tanimë e meriton që zyrtarisht të shpallet edhe si komuna me ambientin më të pastër, pasi falë angazhimit të njësisë së “Ekoregjionit”, është pastruar ambienti në masë të madhe, pothuajse në tërë territorin e komunës. “Pastrimi i ambientit ka qenë edhe është synimi im kryesor, prandaj së bashku me njësinë e “Ekoregjionit” dhe në bashkëpunim edhe me kryetarët e fshatrave, do të vazhdojmë të angazhohemi, që jo vetëm ta pastrojmë ambientin, por edhe që ta ruajmë. Pas pastrimit dhe pamjes së mrekullueshme që ka ambienti ku jetojmë, sfidë për ne do të jetë edhe ruajtja e ambientit, dhe me këtë rast, ju bëj thirrje të gjithë banorëve të Komunës së Malishevës, që ta ruajnë ambientin”, ka thënë kryetari Begaj, gjatë këtij aksioni të pastrimit. Ndërsa përgjegjësi i njësisë së “Ekoregjionit” në Malishevë, Sejdi Paçarizi, ka bërë të ditur, jo vetëm ky aksion dhe jo vetëm pastrimi i vazhdueshëm në të gjitha vendbanimet, por aksionet e këtilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në mënyrë që përfundimisht të largohen mbeturinat. Edhe Paçarizi, ka bërë thirrje që të ruhet ambienti, pasi njësia në Malishevë, në shumicën dërmuese të vendbanimeve e bën grumbullimin e mbeturinave dhe nuk ka nevojë të gjuhen ato, vend e pa vend, por vetëm në pikat grumbulluese.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …