PDK akuzon Qeverinë Kurti për krizë ekonomike: “Taksat e larta po e shtrenjtojnë jetën e qytetarëve”

Deputeti i Partisë Demokratike e Kosovës, Arben Mustafa, ka akuzuar Qeveria e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti për thellim të krizës ekonomike për shkak të mosreagimit ndaj rritjes së çmimit të naftës. Në një konferencë për media, Mustafa deklaroi se qytetarët po përballen me barrë të rëndë fiskale, duke theksuar se nga rreth 1.80 euro për litër naftë, afërsisht 60 centë janë taksa shtetërore. Sipas tij, kjo politikë po ndikon drejtpërdrejt në rritjen zinxhirore të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Ai kritikoi qeverinë për mungesë ndjeshmërie ndaj situatës ekonomike, duke e cilësuar fokusin e saj si të orientuar vetëm në mbledhjen e të hyrave. Mustafa kërkoi ulje të menjëhershme të taksave për derivatet e naftës, duke argumentuar se një veprim i tillë do të sillte lehtësim të menjëhershëm për qytetarët dhe bizneset. Sipas tij, rritja e çmimit të naftës po godet veçanërisht sektorin e bujqësisë dhe prodhuesit vendorë, duke rritur kostot e prodhimit dhe, rrjedhimisht, çmimet për konsumatorët. Ai bëri thirrje për një plan emergjent anti-inflacion, subvencione shtesë për bujqit dhe masa të forta kontrolli në treg për të parandaluar abuzimet me çmime. PDK thekson se pa ndërhyrje të shpejtë dhe masa konkrete, qytetarët rrezikojnë të përballen me një valë të re të varfërimit dhe pasigurisë ekonomike.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova në udhëkryq politik: mes pazareve të vonuara dhe një krize të paralajmëruar

Kosova po përballet me një tjetër provë të rëndë politike, mes mungesës së kompromisit dhe …