Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku ka diskutuar krizën politike të krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.
PDK vlerëson se Kosova po përballet me një bllokadë të rrezikshme institucionale, për të cilën përgjegjësi ka koalicioni i partive që kanë dalë të parët në zgjedhje, LVV, Guxo dhe Alternativa – që, në mungesë të shumicës parlamentare, kanë marrë peng themelimin e institucioneve të reja, legjitime dhe demokratike.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka ritheksuar në takimin me Presidenten më 15 maj se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që kanë qenë në opozitë, për të rikthyer stabilitetin dhe rrugën euroatlantike të Kosovës. Ai ka njoftuar se i ka kërkuar Presidentes që t’i drejtohet me pyetje kushtetuese Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kandidatit për kryetar/e Kuvendi, me qëllim që të sqarohen pozicionet institucionale dhe juridike në këtë situatë.
Kryetari Krasniqi informoi Kryesinë edhe për takimin që ka zhvilluar me Kryetarët e Degëve të PDK-së, me qëllim të përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Ai ka vlerësuar lart angazhimin dhe punën e tyre në funksion të organizimit sa më efikas dhe të suksesshëm të strukturave të partisë nëpër të gjithë vendin.
Në përmbyllje të mbledhjes, Kryesia e PDK-së ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën lidhur me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë për refuzimin e kërkesës për lirimin me kusht të z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi.
PDK vlerëson se, pas përfundimit të fazës së prokurorisë dhe në mungesë të rrezikut për ndikim në proces, lirimi me kusht ka qenë një e drejtë e pritshme dhe e arsyeshme, ndërsa refuzimi i saj përbën mohim të një të drejte themelore, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të drejtësisë.