Partia Demokratike e Kosovës ka nisur sot betejën ligjore kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, që parashikon kalimin e rreth 1,300 bizneseve në tregun e lirë të energjisë nga data 1 qershor. Abelard Tahiri, e quajti këtë vendim një goditje të rëndë për ekonominë, duke paralajmëruar falimentime, humbje vendesh pune dhe rritje të inflacionit. Sipas Tahirit, ZRrE e ka marrë vendimin pa përmbushur parakushtet themelore ligjore, pa analizë të konkurrencës dhe pa konsultim me institucionet përgjegjëse si Autoriteti i Konkurrencës dhe Zyra e Ndihmës Shtetërore. PDK kërkoi pezullim të menjëhershëm të vendimit dhe paralajmëroi se pas 15 ditësh do t’i drejtohet Gjykatës Themelore të Prishtinës për të kërkuar masë të përkohshme ligjore. Tahiri gjithashtu ngriti shqetësime për konflikt interesi, duke përmendur një kompani të themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Kurti, që ka aplikuar për licencë për furnizim me energji. “Ky vendim nuk është as akt administrativ – është një njoftim për të shmangur përgjegjësinë ligjore,” theksoi Tahiri.
