Përçarjet brenda Partisë Guxo po thellohen, pasi ish-anëtari i kryesisë së degës në Pejë, Ruzhdi Blakaj, ka adresuar akuza të forta ndaj udhëheqjes së partisë. Blakaj ka akuzuar dy figurat kryesore të GUXO-s, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, për presion dhe kërcënime ndaj deputetëve lidhur me mbështetjen për Vjosa Osmani. Sipas tij, një numër i vogël personash brenda partisë nuk e kanë mbështetur rizgjedhjen e Osmanit, ndërsa ka pretenduar se Gërvalla dhe Peci kanë ndikuar te deputetët që të mos e votojnë atë në rast kandidimi. Blakaj deklaroi se kishte paralajmëruar më herët për këto zhvillime, duke vënë në pikëpyetje edhe lidershipin aktual të partisë dhe duke pretenduar se drejtuesit e saj kanë kaluar në Lëvizja Vetëvendosje. Ai shtoi se, sipas tij, GUXO është përdorur më shumë si një mjet për mbledhje votash sesa si një subjekt politik me qëndrueshmëri të mirëfilltë, duke thelluar kështu akuzat për funksionimin e brendshëm të partisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
