Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka përfaqësuar Kosovën në takimin e radhës të dialogut me Serbinë në Bruksel, pavarësisht faktit se vendi ndodhet në një krizë institucionale dhe Kuvendi ende nuk është konstituuar. Në një reagim zyrtar, LDK ka theksuar se Bislimi nuk ka mandat as legjitimitet demokratik për të përfaqësuar vendin në çështje të një rëndësie të tillë shtetërore. “Nuk ka autorizim nga Kuvendi dhe nuk mund të ndërmarrë hapa në emër të Republikës së Kosovës,” deklaroi deputeti Arben Gashi. Nga kabineti i Bislimit nuk është dhënë asnjë koment lidhur me mungesën e autorizimit zyrtar apo bazën kushtetuese të përfaqësimit të tij në Bruksel. Pas më shumë se dy muajsh nga certifikimi i zgjedhjeve parlamentare, Kosova ndodhet ende në një bllokadë institucionale, ku as Kuvendi dhe as Qeveria nuk gëzojnë mandat të plotë. Në këtë kontekst, përfaqësimi i shtetit në arenën ndërkombëtare ngre pikëpyetje serioze për legjitimitetin dhe përfaqësimin demokratik.
