Në qytetin Lorca të Spanjës po mbahet takimi i sektorit të Evropës Jugore të CIOFF (Këshilli Ndërkombëtar i Organizimeve të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Tradicionale), ku me prezencë dinjitoze po merr pjesë edhe Kosova.
Në këtë ngjarje ndërkombëtare, Kosovën po e përfaqësojnë z. Arsim Abazi, përfaqësues zyrtar i CIOFF për Kosovën dhe Eron Abazi, përfaqësues i të rinjve. Gjatë takimit, ata po prezantojnë raportin mbi aktivitetet kulturore, festivalet dhe grupet artistike nga vendi ynë, si dhe po marrin pjesë në përgatitjet për Kongresin Botëror të CIOFF që do të mbahet në nëntor 2025 në Kili.
Përfaqësuesit kosovarë kanë zhvilluar edhe takime me karakter kulturor dhe institucional, ndërsa janë pritur ngrohtësisht nga Kryetari i Qytetit të Lorcës.
Z. Arsim Abazi ka shprehur falënderim të veçantë për institucionet që kanë mbështetur këtë pjesëmarrje, veçanërisht duke theksuar mirënjohjen për Kryetarin e Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve kulturore dhe ndërkombëtare të komunitetit artistik nga Vitia.