Me homazhe dhe vendosje të kurorave më lule në përvjetorin e rënies në Altarin e Lirisë janë përkujtuar Dëshmorët e qytetit të Deçanit, bijtë më të mirë që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë. Homazhe kanë bërë i pari i komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, nënkryetari Sami Cacaj, kryesuesi i Kuvendit komunal, Hajdar Sutaj, kryetari i OVL UÇK në Deçan, Kol. Abdyl Mushkolaj, deputeti Lahi Brahimaj, zyrtar institucional, familjarë të dëshmorëve, invalid e veteran të luftës së UÇK-së dhe qytetar të shumtë.
Në postimin e tij në facebook, kryetari Ramosaj ka shkruar:
Sot, me nderim dhe përulësi, bëmë homazhe për dëshmorët e qytetit të Deçanit, bijtë më të mirë që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë.
Në këtë ditë të veçantë, kujtojmë me krenari dhe respekt veprën e tyre heroike. Kujtimi për ta do të mbetet përherë gjallë në zemrat tona dhe në historinë e qytetit tonë.
Lavdi e përjetshme për dëshmorët e kombit!