Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi sot në Brestoc, në përvjetorin e 26-të të rënies, nderoj kujtimin për dëshmorët, Alajdin Elshani dhe Xhevat Elshani, që u përjetësuan në luftimet me forcat serbe, më 28 maj 1999, si dhe kujtimin për Selim Berishën, i rënë më 27 maj 1999, pasi u fut në bunkerin e forcave armike.
Tashmë dihet se liria duhet ujitur me gjakun e bijave e bijve më të dashur, sepse kështu ka qenë gjithmonë. Mirëpo, flijimet janë dëshmi e përkushtimit e të gatishmërisë, po ashtu dëshmi e pjekurisë dhe e synimit tonë historik.
Me veprën dhe rënien e tyre, dëshmorët nderuan pushkët e lirisë, qëllimet dhe idealet për të cilat luftuan dhe u përjetësuan në faqet e ndritura të historisë, Selimi, Xhevati dhe Alajdini si dhe dëshmorët e kombit, kudo që ranë për lirinë e atdheut, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.