Feriz Hasan Blakaj (12.9.1964 – 28.5.1999)

Feriz Hasan Blakaj (12.9.1964 – 28.5.1999)

Dëshmori Feriz Blakaj ka lindur më 12 shtator të vitit 1964, në fshatin Tedel (Vrellë) të Burimit (ish-Istog). Prindërit e tij, Hasani dhe Eminja kishin gjashtë djem: përveç Ferizit edhe Halilin, Muhametin, Shefqetin, Xhevdetin dhe Valdetin.
Ferizi mësoi në shkollën fillore “Hysni Zajmi” të fshatit të lindjes, ndërsa shkollimin e mesëm nuk pati rast dhe mundësi ta vazhdojë. Sapo arriti moshën madhore, ai u bë krah i familjes duke punuar punë bujqësie. Mirëpo, në këtë moshë kishte rastisur të zhvilloheshin ngjarje të rëndësishme për fatin e Kosovës, të cilat e tërhoqën vëmendjen e kthjelltë të Ferizit. Demonstratat e pranverës së vitit 1981, në të cilat rinia dhe populli i Kosovës kërkuan të drejtat e tyre të barabarta me popujt e tjerë në shtetin e ish-Jugosllavisë, e cila kërkesë u artikulua në parullën “Kosova – Republikë”, nuk e la të qetë shpirtin e këtij të riu. Prandaj, sikurse edhe shumë të rinj të tjerë anekënd Kosovës, edhe ai u angazhua për të popullarizuar këtë parullë. Për këtë arsye, në vitin 1983 u paraburgos dhe u dënua me një vit burgim me akuzë se kishte marrë pjesë në shkrimin e parullës “Kosova – Republikë” në faqen e shkëmbit të quajtur Kërshi i Kuq mbi fshatin Tedel.
Dënimi që e vuajti, nuk e theu Ferizin, por përkundrazi i forcoi edhe më shumë bindjet e tij për drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve të Kosovës. Në vitet në vijim ai vazhdoi të veprojë në mënyrë edhe më të organizuar, në mesin e shumë të rinjve të tjerë, si Xhemajl Blakaj, Xhavit Blakaj, Esat Dreshaj, Xhavit Beqiraj, Fadil Bicaj, Ahmet Rexhaj e të tjerë, duke shkruar parulla e duke shpërndarë afishe kundër shtypjes shtetërore kundër shqiptarëve. Ky aktivitet u bë shkak që Ferizi sërish, në fund të vitit 1986 të arrestohej e të denohej me një vit burg për veprimtari, siç cilësohej atëherë, “irredentiste” e “nacionaliste”.
Meqenëse tashmë, Ferizi ishte i shenjosur nga sigurimi serb, si armik i politikës hegjemoniste serbomadhe, ai mbahej nën vëzhgim policor. Në vitin 1991, periudhë kur Kosova po përjetonte segregacionin nazist serb, Ferizi sërish u arrestua për disa ditë nga policia serbe. Dy vjet më vonë ai largohet nga Kosova dhe vendoset në Shqipëri, ku kohë pas kohe bën edhe stërvitje ushtarake. Atje do të qëndrojë deri me plasjen e luftës së armatosur në Kosovë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më 1998. Ai kthehet në vendlindje vepëm pasi bindet se çlirimi i Kosovës përmes grykës së pushkës nuk kishte alternativë tjetër. Këtij synimi i kontribuon me angazhimin e tij, bashkë me Verim Blakajn, Shasivar Hoxhajn, Ali Sefajn, Florim Demaj e bashkëveprimtarë të tjerë, në organizimin e rojes, në vëzhgimin e terrenit dhe në hapjen e istikameve për luftëtarët e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së.
Njëzetekatër marsi i vitit 1999 hapi frontin e luftës çlirimtare edhe në tërë trevën e komunës së Burimit nën pëprgjegjësinë e Brigadës 133. Tani Ferizi do të jetë i ngarkuar me obligime të rregullta ushtarake. Ai bashkë me shokët e armës do të ballafaqohet pothuajse çdo orë e çdo ditë me sulme ushtarake serbe, të cilat bëheshin nga pozicionet në Banjë, Dobrushë, Kodër të Tomocit, Lubozhdë e vende të tjera. Forcat serbe synonin ta merrnin nën kontroll arterien rrugore që lidh fshatrat e rrëzëbjeshkës, nga Burimi në drejtim të Banjës e të Radafcit ku kalonte rruga për në Rozhajë. Përë këtë qëllim ato kishin planifikuar një aksion të pëqendruar ushtarak, i cili u zhvillua më 12 prill 1999, i cili kishte për qëllim të depërtimit në zonën e kontrolluar nga UÇK-ja dhe të dëbimit me terror të popullatës së kësaj zone nga Kosova. Në këtë aksion u angazhuan mjete të rënda ushtarake dhe armë artilerike të kalibrave të mëdhenj, me të cilat u sulmuan pozicionet e UÇK-së të cilat ishin të vendosuar në Lubozhdë, Tedel, Studenicë e në vende të tjera. Në betejën e ashpër të asaj dite, ku në pozicione lufte ranë 12 luftëtarë të lirisë, mori pjesë edhe dëshmori Feriz Blakaj.
Pas depërtimit të forcave serbe në korridorin përgjatë vijës rrugore Burim-Tedel-Banjë dhe Tedel-Radafc, pjesëtarët e Brigadës 133 ndërruan taktikën e veprimit, duke zbatuar taktikën e sulmit të rrufeshëm dhe të tërheqjes së shpejtë. Sulme të tilla kryesisht kryente njësiti i Policisë Ushtarake, ku bënte pjesë edhe Ferizi. Më 27 maj të vitit 1999, ky njësit shkon në një detyrë ushtarake në fshatin Cerrcë të Burimit. Në mbrëmjen e 28 majit, ai duhej të qarkullonte në drejtim të fshatit Lluga. Me të arritur te lagjeja Januzajtë Lubozhdës te vendi i quajtur Ura e Januzajve mbi lumin Vrella, njësiti i luftëtarëve të Brigadës 133, në kuadrin e të cilit ishin Feriz Blakaj, Hajrush Elezaj, Arben Januzaj, Blerim Rexhaj e Naser Shatri, sulmohen nga një pozicion prite. Sulmi u bë nga një distancë e vogël. Pjesëtarët e UÇK-së iu kundërpërgjigjën me shpejtësi sulmit, por mundësia për të evituar pasojat ishte e vogël. Në këtë shkëmbim zjarri, në fushën e nderit bien Feriz Blakaj dhe Hajrush Elezaj, kurse plagoset Arben Januzaj.
Prita te Ura e Januzajve ishte organizuar në shenjë hakmarrjeje për shkak të humbjeve që forcat serbe kishin pësuar një ditë më parë nga pjesëtarët e UÇK-së, në lagjen Bruçaj të Lubozhdës.
Më 3 qershor të vitit 1999, trupi i dëshmorit Feriz Blakaj u gjet pak përtej vendit të rënies dhe afër tij u gjet edhe trupi i dëshmorit Hajrush Elezaj. Ata u varrosën nga bashkëluftëtarët afër vendit të rënies, në lagjen e Januzajve. Pak pas çlirimit të vendit dhe kapitullimit të pushtuesit serb, trupi i dëshmorit Feriz Blakaj u rivarros në varrezat e fshatit të lindjes. Në monumentin e përbashkët të dëshmorëve të fshatit në Tedel dhe në atë dëshmorëve të Brigadës 133 në Burim, emri i tij zë vendin e meritueshëm të nderit. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Bahri Ferat Kuçi (20.4.1971 - 11.3.1999)

Bahri Ferat Kuçi (05.04.1971 – 11.3.1999)

Dëshmori Bahri Kuçi u lind më 5 prill 1971, në fshatin Lugmir (ish-Dolak) të komunës …