Kryetari i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Përparim Gruda, ka kritikuar ashpër mënyrën se si po procedohen amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Gjatë mbledhjes së komisionit, Gruda i është drejtuar drejtpërdrejt deputetit të Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, duke pyetur për arsyen e ngutjes për procedimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese. Ai theksoi se çështja është thelbësisht politike dhe se mënyra se si po tentohet të procedohet nuk është e pranueshme. “Unë jo për partinë time, por s’ka forcë mbi këtë tokë që më detyron të turpërohem e t’i kaloj këto amendamente. Nuk më intereson çfarë thotë PDK-ja, po ta them drejt këtu: për këto amendamente nuk e çoj dorën në asnjë instancë të Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Gruda. Sipas tij, mënyra e procedimit është e paprecedentë dhe nuk përputhet me praktikat demokratike. “Në cilin vend amendamentet sillen në orën 14:00 dhe për një orë i dërgohen komisionit, e pastaj prej komisionit planifikohet të thirret seanca? Në cilin vend bëhen këto ndryshime kështu? Vetëm në vende totalitare bëhen ndryshimet kushtetuese brenda gjashtë orësh”, tha ai. “Mos kujtoni që mund ta prekni Kushtetutën si të doni ju. Sot ju duhet për interesa politike. Ju keni shterruar debatin politik dhe e keni sjellë vendin në krizë. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, sepse ashtu thotë Kushtetuta, jo sepse themi ne”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
