Përplasje e ashpër në KQZ: VV akuzon PDK-në për “vjedhje të votave” me asistencë, përmendet “treni kosovar”

Mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u tensionua rëndë pas akuzave të ndërsjella mes përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), lidhur me mënyrën e votimit me asistencë për personat analfabetë. VV akuzoi PDK-në se ka instaluar në Kosovë një formë të re të “trenin bullgar”,  që tash e quajti “treni kosovar”,  përmes keqpërdorimit të kësaj procedure për vjedhje votash dhe manipulim të vullnetit qytetar. Anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, deklaroi se votimi me asistencë është shndërruar në “mjet për manipulim të hapur politik”, duke kërkuar që prokuroria të ndërhyjë menjëherë. Ai tha se kjo formë është hequr me ligjin e ri pikërisht për shkak të keqpërdorimeve të shumta. Në reagim, përfaqësuesit e PDK-së Ilir Gashi dhe Arianti Elshani kundërshtuan akuzat, duke thënë se votimi me asistencë është i rregulluar ligjërisht dhe i mbështetur në dokumentacion zyrtar. Gashi madje ftoi edhe ai prokurorinë të hetojë rastet e dyshimta, ndërsa theksoi se duhet të ruhet e drejta e qytetarëve që nuk dinë shkrim e lexim. Debati u ashpërsua kur anëtari i VV-së, Sami Kurteshi, akuzoi PDK-në se përmes kësaj praktike po “vjedh votat dhe shkel dinjitetin e qytetarëve, sidomos të grave”, duke e quajtur çdo votë me asistencë “akt korrupsioni dhe vjedhjeje të hapur”. Përfaqësuesit e PDK-së, në anën tjetër, thanë se analizat dhe statistikat për këtë çështje ekzistojnë, duke theksuar se ligji aktual është miratuar me konsensus nga të gjitha partitë politike. Përplasja e sotme në KQZ nxori edhe një herë në pah mungesën e besimit mes partive politike për integritetin e procesit zgjedhor, vetëm pak ditë para balotazhit të 9 nëntorit.

Kontrolloni gjithashtu

Duda Balje

Duda Balje: Nuk do ta votoj Glauk Konjufcën për mandatar

Deputetja Duda Balje ka deklaruar se nuk do ta mbështesë Glauk Konjufcën si mandatar të …