Gazeta amerikane me ndikim, Politico, i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë, të cilat do të përcaktojnë përbërjen e re të Parlamentit dhe qeverinë e ardhshme. Sipas Politico, qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti ka futur vendin në një izolim më të thellë për shkak të veprimeve të saj në veri të Kosovës, duke tensionuar raportet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Gazeta thekson se qasja populiste e qeverisë dhe përpjekjet për të afirmuar sovranitetin në zonat me shumicë serbe kanë rezultuar në masa ndëshkuese ndërkombëtare. Politico paralajmëron gjithashtu se e ardhmja evropiane e Kosovës mund të vihet në dyshim për shkak të paralizës institucionale dhe organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “Pas gati një viti paralizë politike, Kosova kthehet në zgjedhje të dielën në një votim që mund të përcaktojë nëse vendi bën përparim në rrugën e tij të bllokuar drejt Bashkimit Evropian,” shkruan gazeta.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
