Brickos

Prend BUZHALA: POETIKA E KUJTESËS DHE REVOLTËS

Prend BUZHALA: POETIKA E KUJTESËS DHE REVOLTËS

(Mehdi Krasniqi: Metaforë ligjore, poezi)
Ka dy rrjedha që thurin meandret e lirikës së Mehdi Krasniqit: kujtesa dhe revolta. Një e shkuar e kujtesës poetike për dy vlerat sublime të folësit lirik: atdheut (luftës, historisë) dhe dashurisë si ndjesi e emocionit të bukur; dhe një e tashme, ku zien revolta poetike pëlcitëse për kaq e kaq ligësi e bëma të këqijash që na ndodhën mu në gjirin tonë e para syve tanë në këtë kohë kaosi, dhe ku plagët e së kaluarës ende sëmbojnë e therin. Kësisoj, poezia vjen si një udhërrëfyes jete. Zaten, këtë na e sugjerojnë edhe ciklet e këtij vëllimi: dy ciklet e para: “Kujtime të koduara” – me këndimet e  kujtesës së ndjesisë së dashurisë  dhe “Atdhe dhe shenja kujtese” – ato të kujtesës së luftës, atdhesisë, historisë, – sugjerojnë rrjedhën e parë të frymëzimit të kësaj memorieje lirike; dy ciklet në vazhdim “Kronika nga qyteti” dhe “Kronika nga atdheu” na drejtojnë kah kahu i rrjedhës së dytë të frymëzimeve e që është koha e tashme, revolta, kësaj radhe e shënjuar me leksemën poetike “kronikë”. Në fund vijnë dy poezi të ciklit “Rrjedha jetësore” e ku këndohen përjetimet personale dramatike në përplasje me këto rrjedha në kohën e pandemisë.
Çka na ka ringjallur poeti nga burimet e kësaj kujtese dhe kundër kujt e ç’ gjëje drejtohet kjo revoltë?
1. Energjia semantike e fjalës
Fjalët janë të fuqishme. Laureati i Poetit Amerikan Joy Harjo një herë tha: “Pa poezi, ne e humbasim rrugën”, do të thoshte një poetja laureate amerikane Joy Harjo.
Të vërtetat e  një kohe ndryshe i perceptojmë, kuptojmë dhe asimilojmë nga mediet, politika apo kronikat e ndryshe nga leximi i një poezie. Lirika na e jep në një tjetër përmasë këtë të vërtetë, duke depërtuar aty ku as mediet as shkrimi publik nuk mund të depërtojnë, siç është ajo që ndiejmë apo siç është përmasa shpirtërore, e brendshme, e këtij përjetimi, apo siç është prekja në pulset e ndërgjegjes. Kjo na bën t’i pëshpëritim  vetes: po, kjo është ajo që dua ta lexoj, ta përjetoj dhe ta dëgjoj. Domethënë: lirika qenka ajo që na motivon në këto kohë të liga, të mbarsura që nga harresat kriminale, dhe nga mbeturinat e një llumi shtëpiak që përhapen dhe e kaplojnë gjithë hapësirën tonë të ekzistencës. Na motivon, pra, që ta kemi një qëllim në jetë. Dhe poezia është një dritë e tillë e ndezur që e ndriçon edhe shpirtin e mendjen e lexuesit. Nuk është e rastit, prandaj, përse këtë fjalë ai e do të pastër, pa njollosje. E kur ajo njolloset, poeti shpërthen në revoltë:
Shpërdorim vargu
përdhosje poezish
njollosje autorësh
mashtrim fëmijësh
E kjo do të thotë se në art nuk mund të ketë hedhje hi syve publikut, për t’i mashtruar ata se kush na qenka krijues e kush jo! Poezia e ka jehonën tjetër, ka tjetër gjuhë të distiluar, të ndryshme, që i kërkon shpirtrat njerëzorë edhe kur ajo shqiptohet krejtësisht në heshtje.  Ka tjetër forcë jashtë këtyre mashtrimeve. Ka forcën e zbulimit të atyre ndjesive personale e të cilat i merr si të tijat edhe lexuesi. Poeti qëndron diku i strukur, për ta dëgjuar zërin e brendshëm të emocioneve e përsiatjeve. Krijuesi vëren shumëçka kur kundron gjëra që të tjerët nuk arrijnë t’i dallojnë, përsiat për ta gjetur shtegun depërtues. Fjalët godasin aty ku duhet. Me fjalën e zgjedhur lirike poeti dëshiron të krijojë një kujtesë që i bën ballë kohës.  Së këndejmi, krijimi poetik kërkon që fjala të jetë sa më e ngjeshur me peshë kuptimore, sa më e ngritur; që këto fjalë përzgjedhëse-artistike të dhurojnë energji e fuqi kuptimesh e përjetimesh; për ta bërë lexuesin të lexojë e t’i dëgjojë vargjet.
T’i dëgjojë?!
Po:
Vetëm pak do ta dëgjosh zemrën
duke rrahë ndër vete
Ta dëgjosh atë që nuk e thua, e pra: atë që rrah në brendinë tënde. Leximi të çon kah dëgjimi i brendshëm. Lexuesi e ndien këtë fuqi të fjalës poetike, sepse te to sheh vetveten, aty ku spikaten pikat e dobëta e të forta të qenies së tij, kufizimet e gëzimet e qenies së tij që nisin nga zemra.
2. Memoria lirike e ndjesisë së dashurisë
Te cikli i parë vjen kujtesa mbi emocionin e bukur. Në to ka edhe shumë plagë e dhimbje, shpërfillje e vetmi, ndarje dhe takime, gjykime dhe lëndime, premtime të shkelura dhe lamtumira. Këto shenja përbëjnë edhe kodin e sistemuar të kësaj kujtese, krijojnë thesarin e itinerarin e saj të brendshëm. Lirikat e tilla kanë tensionin e brendshëm dramatik: forcën për të duruar dhe forcën për të mos harruar atë që ka ndodhur apo që vijon si akt i atij përjetimi:
Duket është trazuar deti
ndaj dallgët hedhin kripën në breg
mbi zemrat pa kufi
ose:
E vështirë qe ajo kohë
Kur ngjiteshim sysh
Dhe duheshim fëmijërisht
Koha tjetër
pagjumësi
dhe
plot sehir
ose:
Shoh një tjetër vetë
Përballë meje
Formë shkëmbore më duket
Vetmia ime
Në lumë
Gjithnjë, në këtë harxhim të vetvetes e të kohës, folësi lirik e kërkon një model tjetër, atë të aktit të veprimit. Kurse ëndrra endet nga një tjetër pëlhurë, nga një tjetër lule kopshti:
Trëndafili është kryelulja
e kryekujtimit tim
Fletërralli im
mbirë thellë në zemër
Ndryshe, aty kërkohet zgjimi, si zë i grishjes së ndërgjegjes, edhe nga ëndërrimi, edhe nga kujtimi:
E dashur, dije mirë
që koha tjetër mbetet mbi dhe
kujtim i shpërfillshëm
E kjo nuk është e njëjta gjë. Malli merr nota të tjera tensionimi. Magjia e dikurshme, e tretur, (mbi)jeton vetëm nëpërmes kësaj kujtese, për të mos e rrëmbyer gjithçka harresa, tashmë nga një tjetër kënd përjetimi: së paku, si një mbajtje zi për ato kohë. Kështu e ruan edhe atë intensitet të atij emocioni.
Diçka e ka prekur thellësisht zemrën e folësit lirik, prandaj ka aty edhe qëndrojnë aty përgjithnjë si thesare kujtese. Si mbresë e gjallë, që nuk hiqet as nga mendja e as nga zemra. Aty e ruan bukurinë e këtyre mbresave, për ta bërë një lëvizje tjetër, përpara, në jetë. Së paku, lumturia e dikurshme të mos humbasë.
Është një rikthim që ia vlen edhe për pësim-mësimet.
Pikërisht nga ky këndvështrim, poezia e M. Krasniqit merr një vlerë tjetër: nuk stërmadhohen gjërat e dashura; madje, aty-këtu, parapëlqehet ironia e kësaj kujtese, si përsiatje e qenësisë së ekzistencës, si kërkesë për tejkalim të përvojave traumatike të së kaluarës. Kujtojmë (memorizojmë) që ta kemi më të durueshme jetën.
3. Ritmet e të madhërishmes dhe tragjikes
Korsia e kësaj kujtese ka udhët e saj. Poeti niset atyre shtegtimeve. Në fondin e kësaj kujtese poeti vë edhe atdheun, me dëshmorët, luftërat dhe historinë. Së pari ndalon te kroi i luftës, tash në kohë paqeje; ajo rrugë e çon te lapidari. Në këtë rrjetë kujtim-ndalimesh, poeti bën përpjekjen e tij sublime, edhe për t’i nderuar vlerat e luftës për liri, edhe për t’i zhbllokuar nga qenia jonë përjetimet e gjërat e trishta:
Nëse e shihni flamurin ngrehur në kodër
dhe shtizën përgjakur fund e krye
ta dini që aty kishte një betejë të përgjakshme
Do të thotë: kjo kujtesë, ndryshe nga ajo intime e dashurisë, këtu është kujtesë e lavdisë, është transmetim i vetëdijes së lirisë te brezat e rinj. Është sakrifica sublime e dëshmorëve dhe heronjve që dhanë diçka më të madhe se vetvetja. Kurse poeti përpiqet që ta mveshë Fjalën e Luftës me erudicionin krijues e me shenjat simbolike, eliptike, figurative e urtake, me ritmin e të madhërishmes dhe tragjikes për t’i artikuluar e nyjëtuar fuqishëm gjëmimet e oshtimat e shpirtit.
Për luftën e di mirë trupi i ushtarit
dhe plagët që akoma rrjedhin
flasin plumbat që ndryshken në trup
dhe ndjellin vdekje sa herë merr frymë
a bën përpjekje ta shikojë përmallshëm
oborrin e shtëpisë
Të duket sikur i gjithë prodhimi krijues i kësaj periudhe më shumë do të mbështetet në bëmat njerëzore për liri. Nuk është e çuditshme prandaj, pse figurat e dëshmorëve të luftës së fundit çlirimtare vihen në plan të parë, më shumë se sa vetë ngjarjet e asaj kohe. E, aty për aty, poeti zbret te trualli i së përditshmes, revoltës.
Vijnë poezi përkushtimore, ku thadrohen emrat e dëshmorëve, të rënëve e veteranëve si: Visar Krasniqi, Labinot Krasniqi, Hilmi Hoti, Yllka Domi, Maliq Hoti, Hajrullah Mazreku. Ligjërimi poetik, në këso rastesh, sikur udhëton drejt një finaleje ende të papërfunduar të ëndrrës e të dhembjes atdhetare e njerëzore në luftërat e fundit çlirimtare. Këto manifestime, në ndeshjet e tyre midis jetës dhe vdekjes.
Sepse, matanë bjeshkës
ku dhe një copë atdheu mbetur përtej kufiri digjet
e me sy të mi ia shoh flakën dhe tymin
që hipën dhe për mbi re
kolona njerëzish ecin maleve
deri të një strehë ku ushtari i armikut
e as plumb i tij s’arrijnë
Në arte, megjithatë, është i njohur parimi i ndriçimit të krijimtarisë me vetë aktin jetësor. Ky parim përfshin dhe ndriçimin e aktit jetësor me anë të krijimtarisë. Një komunikim aq universal që vë lidhje me njerëzoren. Tek e fundit, ky komunikim shkrin dhe shfaq më vete përmasën humane, njerëzore, si dhe atë katarsën e njohur aristoteliane me efekt çlirues: lufta dhe liria janë vepër e të gjithëve, janë fitore e mundimeve, e vuajtjeve dhe e sakrificave të përbashkëta kundër atij terri shekullor.
4. Revolta është përgjigje për plagët dhe shqetësimet
E kur poeti shpërthen në revoltë, atë e neverit artificialiteti vetëmashtrues, mendjemadhësia a boshllëku shpirtëror e mendor. Dhe është poezia ajo që ua bën të qartë sojit të tillë të veshur me pushtet:
Në vendin tim
fatkeqësisht:
gjithçka është e përfolshme
secili ka vulë
dhe të paktën një revole
a një brisk
drekë e darkë në tryezë
shpifjet dhe intrigat
janë specialitet i pagërditshëm
plot kalori
Sa herë poetët i kanë hedhur sytë kah aktualiteti, nuk ka se si ata të mos e shkruajnë dhe krijojnë poezinë e tillë të revoltës. Krijuesi letrar i shqipton me zë të lartë mospajtimet e tij dhe kundërshtimet e tij me kohën. E kjo nuk është e lehtë edhe për faktin se kërkon të kesh dhe një formim të karakterit etik-njerëzor përballë peshës së kohës që qëndron mbi ne si kufomë. Te e fundit, edhe historia jonë është e formuar si histori revoltash, mospajtimesh, betejash, luftërash.
Ndërthurja e artit me realitetin, ashtu sikundër dhe ndërthurja e shqetësimeve personale me kohën, janë të pashmangshme:
Në qytetin tim
I del shpirti bukës
Pa rënë në sofër
Asnjë i pangopur nuk ngopet
vetëm fiton edhe një çerek lakmi
Në qytetin tim madhor
Miza ia luan kryet buallit
Pastaj buzë bishtit
Ia lë barrë vezët
Peng për sa të jetë gjallë
Poezia e tillë gjithsesi që e thur edhe karakterologjinë e prototipave të kësaj kohe. Poeti merr rolin e  një kronikani në vargje. Sado që poezia e tillë përpiqet t’i ikën metaforës a figurës letrare, ajo, megjithatë, i krijon ato nën petkun e ironisë, alegorisë simbolike apo nën velin e figurave nga bota e florës e faunës. Krijuesi letrar, një kronikan me kamxhikun në dorë, përdor një diskurs zbulues e demaskues. Sikur gjithçka nis nga vetja dhe i kthehet vetvetes, siç janë poezitë “Njerka e mallkuar” dhe “Intervistë për idiotin e madh”. Ndërthurja e diskursit çmaskues me atë të ironisë dhe satirës; e ligjëratës vetëdemaskuese me atë të stilit të kronikës e përtalljes së dukurive negative, e talljes gjithë zemërim me atë të përtalljes së mendësive naive; e energjisë së çmaskimit me ndërthurjet e diskursit të paradoksit satirik; – përbëjnë një poetikë të ndërliqshme. Poeti nuk i pranon vlerat e rrejshme, vetëmashtrimet, devijimet, shtrembërimet e të vërtetës, ashtu sikundër nuk e pranon as fatin nopran, si burim i këtij realiteti ligësish. Andre Malraux, shkrimtar frëng, do të thoshte: “I gjithë arti është një revoltë kundër fatit të njeriut.”
Kurse skajeve të këtij realiteti shtypen njerëzit e margjinalizuar, të mënjanuar.  Në antikë thuhej se poezinë e ka lindur pakënaqësia, dhimbja dhe revolta. Fillimisht, revolta kundër perëndive të qiellit e të cilën mandej e zbriti në revoltën kundër perëndive të sundimit social e njerëzor. Revolta është përgjigje për plagët. Kredo-n e tij poetike, poeti e jep te poezia “Protestë” e ku ballafaqohen dy botë:
Mbrëmë askush s’mund të ketë fjetur
protestuesit këndonin këngë folklorike
recitonin poezi
poshtë e përpjetë sheshit të kryeqytetit.
(…)
Mbretërit mbledhur në tryezë
në periferi të kryeqytetit
hanin mish dallëndysheje
pinin konjak
dhe luanin pishpirik.
Atdheu në mes protestuesish
dhe darkëngrënësve mishpjekur…
këtë fenomen e ka vërejtur që në antikë Aristoteli i moçëm: “Inferiorët revoltohen në mënyrë që ata të jenë të barabartë, dhe të barabartët me ata që të jenë superiorë. E tillë është gjendja shpirtërore e cila krijon revolucione.” Edhe sot protesta dhe pakënaqësia janë vatrat e shtëpitë e të pakënaqurve. Është në qenësinë e krijimeve të tilla, ku poetika thuret me një regjistër leksemash të diskursit bisedor, të drejtpërdrejtë, emërtues, shënjues. Krijimet e tilla mbajnë referencat autoriale “kronikë” dhe “shenjë”, ngjashëm me poezinë konfesionale amerikane, apo të lektyrës moderne të Bertold Brehtit, ndryshe nga simbolizmi e parnasizmi i lektyrës bodleriane. Apo të asaj ndër ne: lasgushiane. Kund e kund, Mehdi Krasniqi, sipas prirjes së tij, i gërsheton këto dy prirje, shpesh të dallueshme sipas idiomave poetike, të tipit “metaforë ligjore” me të cilën e emërton një poezi dhe gjithë librin. Metafora tash thur ligjin e saj ironik, të vetizolimit, mbasi liria e saj është ngushtuar: jo thjesht liria e shprehjes poetike, por liria si personifikim i qenies individuale. Kurse arti poetik i Mehdiut na sugjeron që poezinë ta lexojmë ngadalë e me përqendrim meditues, për të jetuar me të e me përjetimet e saj. Me kuptimet e saj.
Zaten, vetë poezia është një mënyrë e përsiatjeve për realitetin, jetën, vetveten. Për të shkuarën e të sotmen. Është mënyrë e të përjetuarit të realitetit dhe botës sonë të brendshme. Te e fundit, të folurit poetik është i rrënjosur në vetë jetën tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …