Brickos

Prezantohet raporti për ngritjen e profilit ekonomik të sektorit pyjor në Kosovës

Prezantohet raporti për ngritjen e profilit ekonomik të sektorit pyjor në Kosovës

19 maj 2022 – Sektori pyjor mund të ketë një kontribut shumë më të rëndësishëm në ekonominë kombëtare të Kosovës me një pjesëmarrje prej 1 përqind në Bruto Produktin Vendor (BPV). Kontributi i përgjithshëm potencial i këtij sektorit pyjor vlerësohet prej 60 milionë deri në 100 milionë euro (0.9%-1.4% të BPV-së), apo afër mesatares globale. Ndërsa, rreth 2.3% – 3.7% e punësimit të përgjithshëm në Kosovë bazohet  në sektorin pyjor.

Këto të dhëna janë prezantuar në një punëtori të organizuar nga programi i FAO-s për pylltari në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencinë Pyjore të Kosovës. Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Agjencisë së Statistikave, Ambasadës së Suedisë,  sektorit privat e shoqërisë civile. Në këtë punëtori u diskutua për aspektet e vlerësimit ekonomik fiskal të sektorit të pylltarisë në Kosovë dhe përmirësimin e profilit të sektorit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave aktualisht pylltaria zë 0.03% ne totalin e Bruto Produktit Vendor, shifër kjo tepër e ulët në krahasim me kontributin real të ketij sektori. Llogaritë kombëtare duhet të përmirësohen në këtë drejtim duke marrë parasysh të mirat dhe shërbimet e shumta që vijnë nga pyjet. Për këtë rekomandohet ngritja e një sistemi adekuat të dhënash financiare për sektorin pyjor i cili do të mund t’i ofronte politikëbërësve një pasqyrë më të plotë të përfitimeve që vijnë nga pyjet si dhe do të rriste vullnetin e tyre për të ndarë më shumë mjete dhe investime për këtë sektor.

Ekspertët e ekonomisë pyjore të angazhuar nga FAO rekomandojnë: digjitalizimin e raportimit rreth shfrytëzimit të pyjeve dhe lëndës drusore, fuqizimin e kapaciteteve të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe institucioneve tjera të ndërlidhura për monitorimin e rregullt të indikatorëve që pasqyrojnë aspektin socio-ekonomik të sektorit pyjor në Kosovë, përfshirë shfrytëzimin, tregtimin e produkteve pyjore, punësimin dhe të ardhurat nga sektori

Kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha mirëpriti raportin e ekspertëve të FAO-s për vlerësimin e sektorit pyjor dhe rekomandimet e ofruara. “Sektori i pyjeve ka mundësi të gjenerojë më shumë të hyra se sa që kemi aktualisht, rreth 2 milionë euro. Ne nuk do të donim që të hyrat kryesore t’i realizojmë nga qeradhënia e tokës pyjore, por duam të investojmë më shumë në projekte kapitale që mundësojnë shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve”, tha ai.

Pjesëmarrësit vlerësuan se studimi i prezantuar është një bazë e mirë për të punuar në përmirësimin e profilit të sektorit pyjor, përkatësisht kontributit socio-ekonomik të këtij sektori në ekonominë kombëtare.

Raporti është përgatitur në bazë të studimit realizuar përmes programit “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të  përmirësuar  jetesën në vendet rurale dhe për  të adresuar  ndryshimin klimatik në  Kosovë”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë, ndërsa zbatuar nga FAO.

Kontrolloni gjithashtu

Në Gllogjan, shënohet e 26-vjetori i “Epopesë së Dukagjinit” dhe 25-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s, kundër forcave serbe

Të dielën më 24 mars 2024, duke filluar nga ora 11.00 do të mbahen homazhe …