Prishtina u zgjua me parulla kundër kryeministrit Albin Kurti, me thirrjen e drejtpërdrejtë: “Albin, dorëzohu në Prokurori”. Mesazhi i qytetarëve në mure vjen në kohën kur Kurti ka refuzuar disa herë paraqitjen në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore. Prokuroria e kishte ftuar që në dhjetor të vitit të kaluar, por kryeministri nuk u paraqit, duke kërkuar që të intervistohej vetëm në zyrën e tij. Edhe pse Gjykata Themelore e Prishtinës nxori urdhër që ai të paraqitej në mars, Kurti sërish refuzoi. Ligji parasheh gjobë deri në 250 euro për çdo mosparaqitje, e në rast të përsëritur edhe deri në një muaj burg. Prokuroria ka bërë të ditur se do të veprojë në përputhje me ligjin. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka pezulluar përkohësisht takimet zyrtare me Kurtin, duke e shtuar edhe më shumë presionin politik.
