Probleme në funksionimin e shërbimeve të gjendjes civile – Institucionet  Qendrore po heshtin

Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Administratës ka reaguar lidhur me problemet në rrjetin që ofron shërbime të gjendjes civile, e i cili sistem menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Regjistrit Civil.

Për të dytën ditë me radhë, shërbimet e Gjendjes Civile në Komunat e Republikes së Kosovës janë duke funksionuar me shumë vështirësi, për shkak të mosfunksionimit të sistemit qendror të rrjetit, që është përgjegjësi ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil të Kosovës.

Jemi në pikun e kërkesave të qytetarëve tanë, në një periudhë kur mërgata jonë po kthehet në atdhe dhe kur shumë nxënës kanë nevojë për dokumentacion për regjistrime.

E megjithatë, institucionet qendrore kanë zgjedhur të heshtin, pa dhënë asnjë njoftim zyrtar, asnjë arsyetim, dhe mbi të gjitha asnjë përgjegjësi.

Si Komuna të Kosovës, ndjejmë përgjegjësi të thellë ndaj qytetarëve tanë, të cilët me të drejtë janë të revoltuar dhe të zhgënjyer.

Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë kësaj papërgjegjësie institucionale, që po i cenon të drejtat më themelore të qytetarëve për qasje në shërbime administrative.

I bëjmë thirrje publike Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil që të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin e funksionimit të rrjetit, dhe njëherësh të dalin me shpjegim të qartë e zyrtar për gjendjen aktuale.

Ky problem teknik ka bllokuar funksionalitetin e shërbimeve bazë, të cilat janë themelore për realizimin e mbi 90% të kërkesave të qytetarëve dhe bizneseve ndaj institucioneve publike, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.

Si rezultat, proceset administrative janë ndërprerë ose ngadalësuar ndjeshëm, duke sjellë pasoja serioze në ofrimin e shërbimeve dhe krijuar shqetësim të theksuar te qytetarët

Në këtë situatë të krijuar, ne si Komuna te Republikes tonë, jemi në krah të qytetarëve dhe do të vazhdojmë të kërkojmë me ngulm zgjidhje konkrete për këtë problem që po rëndon përditshmërinë e secilit prej jush.

Jemi në pritje të reagimit dhe veprimeve konkrete nga ana e nivelit qendror.

Kolegjiumi i Drejtorëve të Administratës

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi ka përuruar parkun në Nagac

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi përmes postimit të tij në facebook ka …