leoni

Procesi në Hagë, pushim deri në shtator – mbrojtja nis më 15 shtator

Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë hyrë në pushim veror dhe pritet të rikthehen në punë më 15 gusht. Megjithatë, seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk pritet të rifillojë deri në shtator.

Pas kërkesës së ekipeve mbrojtëse, trupi gjykues ka pranuar që paraqitja e provave të nis më 15 shtator. Më 19 gusht do të mbahet një konferencë përgatitore për mbrojtjen.

“Trupi Gjykues II caktoi 15 shtatorin si datën e synuar për fillimin e paraqitjes së provave nga Mbrojtja, e cila do të konfirmohet në konferencën e 19 gushtit. Po ashtu, janë dhënë urdhra për listat e provave materiale dhe afatet për nxjerrjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Me nisjen e kësaj faze, pritet të hapet rruga drejt përfundimit të procesit gjyqësor.

“Jemi në një fazë ku rolin kyç e merr Mbrojtja. Dy prej të akuzuarve, z. Thaçi dhe z. Krasniqi, pritet të paraqesin dëshmitarë. Në bazë të dinamikës, pres që procesi të përfundojë deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër,” tha avokati Ardian Bajraktari.

Nga ana tjetër, juristi Meshar Selimaj kritikoi ecurinë e deritashme të gjykatës:
“Ka pasur veprime kundërligjore dhe shkelje të parimeve themelore të procesit, përfshirë dëgjimin e dy dëshmitarëve në të njëjtën kohë. Nuk di si mund të merret një vendim i drejtë në këto kushte.”

Pas përfundimit të paraqitjes së provave nga prokuroria, janë dëgjuar edhe disa dëshmitarë të propozuar nga mbrojtësi i viktimave.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim që nga viti 2020, nën akuza të padrejta për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj për Tahir Sinanin: Ishte një bashkëluftëtar i paepur dhe i vendosur për çlirimin e trojeve shqiptare

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka nderuar kujtimin e Tahir Sinanit, duke e cilësuar atë …