Prodhuesit vendor nisin betejë ligjore ndaj ZRrE-së: “Vendimi i padrejtë duhet të rrëzohet”

Shoqata e Prodhuesve Vendor, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka nisur një betejë ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji , duke kundërshtuar vendimin për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Sipas tyre, kjo masë po i ekspozon prodhuesit vendas ndaj çmimeve trefish deri katërfish më të larta të energjisë. Kushtrim Ajvazi, përfaqësues i Shoqatës, theksoi se ky vendim i ZRrE-së është i jashtëligjshëm dhe i dëmshëm për sektorin prodhues në Kosovë. Ai bëri të ditur se janë ndërmarrë hapat e parë ligjorë për të kundërshtuar zbatimin e tij. “Beteja ligjore ka filluar! Vendimi i jashtëligjshëm i ZRrE-së nuk do të mbetet pa përgjigje. Nuk do të ndalemi derisa ta rrëzojmë këtë vendim të padrejtë dhe të rikthejmë të drejtën që na takon. E kemi borxh ndaj çdo fabrike, çdo punëtori dhe ndaj së ardhmes së këtij vendi”, deklaroi Ajvazi përmes një reagimi publik. Prodhuesit kanë paralajmëruar se rritja e kostos së energjisë po rrezikon seriozisht konkurrueshmërinë e tyre dhe stabilitetin e mijëra vendeve të punës. Ata kërkojnë rishikim urgjent të politikave energjetike dhe rikthim të kushteve të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në treg.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku shpreh gatishmërinë për rikandidim në Skenderaj

Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka deklaruar se është i gatshëm …