leoni

Prokuroria e Maqedonisë nis hetime për thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjen Maqedoni–Rumani

Prokuroria e Maqedonisë nis hetime për thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjen Maqedoni–Rumani

Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore pas incidentit të rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar të shtunën në pallatin e sporteve në Kumanovë, ku u dëgjuan thirrje të hapura raciste dhe nxitëse të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Sipas mediave maqedonase, Prokuroria ka lëshuar disa urdhra hetimorë, përfshirë edhe sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë, me qëllim identifikimin e personave përgjegjës për përdorimin e gjuhës së urrejtjes në tribuna.

“Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka lëshuar disa urdhra dhe udhëzime për Drejtorinë e Punëve të Brendshme, për të hetuar elementet e një vepre penale në lidhje me thirrjet që përmbanin gjuhë urrejtjeje nga persona ende të paidentifikuar”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në ndeshjen në fjalë u dëgjuan parulla të rënda si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, të cilat kanë shkaktuar reagime të ashpra jo vetëm në Maqedoni të Veriut, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Ironikisht, ndeshja u ndoq nga afër nga një delegacion qeveritar, i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Kumanovës dhe lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski. Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, përfshirë deputetin Brane Petrushevski, i cili më pas deklaroi se partia e tij dënon çdo formë të nacionalizmit dhe gjuhës së urrejtjes, duke e cilësuar incidentin si vepër e një “grupi të vogël qytetarësh”.

Partitë politike kanë reaguar ndarazi:

  • LSDM e ka dënuar incidentin, duke e konsideruar si një përpjekje për tensione parazgjedhore.

  • BDI ka kërkuar dorëheqjet e zyrtarëve të VLEN-it, për shkak të mungesës së reagimit institucional.

Pamje nga ndeshja, përfshirë pjesëmarrjen e kryeministrit dhe zyrtarëve tjerë, mund të gjenden në profilin zyrtar të Hristijan Mickoskit në Facebook.

Kontrolloni gjithashtu

Behrami kritikon heshtjen e institucioneve të Kosovës pas fyerjeve ndaj shqiptarëve në Kumanovë

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër heshtjen e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës pas …