Propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e një Qeverie Uniteti ka qenë temë qendrore para dhe pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Megjithëse nuk pritej ndonjë ndryshim në votim, debati për platformën 15-pikëshe të propozuar nga LDK-ja ka dominuar deklaratat politike. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila vazhdon të jetë kandidate e kësaj partie për kryetare të Kuvendit, e cilësoi planin si të paqëndrueshëm dhe të parakohshëm. Sipas saj, është e pakuptimtë të diskutohet për krijimin e qeverisë pa u konstituar më parë Kuvendi. “Ka një rend të gjërave këtu: së pari të konstituohet Kuvendi, pra duhet të ketë unitet për ta konstituuar Kuvendin dhe pastaj të flasim për çështje të tjera. Demokracia kërkon që të ketë edhe opozitë,” deklaroi ajo, duke shtuar se nuk e kupton refuzimin e LDK-së për të hyrë në një Qeveri Kurti III pa PDK-në. Qëndrim të ngjashëm ndau edhe deputeti i VV-së, Artan Abrashi, i cili e cilësoi planin e LDK-së si logjikisht të papajtueshëm. “Qeveritë e unitetit bëhen kur ka rrezik. Ku është rreziku në Kosovë? Nëse e sheh te Serbia, pse nuk mori pjesë në takimet që i ka ftuar Kurti?”, pyeti ai. Në anën tjetër, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar një ftesë ose dokument zyrtar nga LDK për t’u shprehur rreth propozimit. Ndërkohë, LDK ka sqaruar se prezantimi i platformës është bërë në mënyrë publike dhe se të gjitha partitë janë informuar për të.