leoni

Protestë madhështore në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Hysni Gucati kërkon drejtësi dhe dinjitet për çlirimtarët

Para mijëra qytetarëve të ardhur nga Kosova dhe diaspora shqiptare, sot në Hagë është mbajtur një protestë e fuqishme për të shprehur mbështetje ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në hapje të fjalimit të tij thirri me zë të lartë emrat simbol të luftës e të lirisë: “UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”, duke ngjallur emocion dhe brohoritje të fuqishme nga të pranishmit.

Ish i burgosuri i kësaj Gjykate, Gucati, tha se protesta nuk është thjesht një tubim politik, por një zë i fuqishëm për dinjitetin e popullit shqiptar, drejtësinë e mohuar dhe historinë e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“UÇK nuk lindi nga urrejtja, por nga padrejtësia,” deklaroi ai, duke theksuar se liria e Kosovës nuk ishte dhuratë, por u pagua me gjakun dhe sakrificën e djemve e vajzave që ranë për flamur e tokë.

Në parkun afër muzeut Madurodam, jo larg godinës së Gjykatës Speciale, Gucati shtoi se pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare nuk do të lejojnë që historia të shtrembërohet.

“Ne jemi bijtë e një ushtrie që nuk u përkul as para tankeves, as para helikopterëve serbë. Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik. Bota demokratike nuk mund t’i mbyllë sytë para një padrejtësie kaq të madhe”, theksoi ai.

Në fund, ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që çlirimtarët të mos trajtohen si kriminelë, por të njihen si ata që sollën lirinë dhe demokracinë në Kosovë.

Protesta filloi me intonimin solemn të himnit kombëtar dhe atij shtetëror, ndërsa flamujt kuqezi dhe parullat për drejtësi dominuan atmosferën.

Ndërkohë, kujtojmë se ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe deputeti i njohur i UÇK-së Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, duke u përballur me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Kontrolloni gjithashtu

Mijëra qytetar nga trojet etnike dhe mërgata po marrin pjesë në protestën kundër padrejtësisë në Hagë

Mijëra qytetar nga trojet etnike dhe mërgata po marrin pjesë në protestën kundër padrejtësisë në …