Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik para Prokurorisë së Shtetit, duke vendosur një pankartë me mbishkrimin “Prokurori i Shtetit i kapur nga VV”. Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për ndërhyrje në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në një prononcim për media, Molliqaj tha se zhvillimet e fundit në KPK përbëjnë, sipas tij, një drejtim të gabuar dhe një përpjekje për kontroll politik të institucioneve të pavarura. Ky institucion ka dy funksione kyçe: organizimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit dhe rekrutimin e prokurorëve, të cilat, sipas tij, janë në fokus të ndërhyrjes së pushtetit. Molliqaj deklaroi se Kosova tash e katër vite është pa Kryeprokuror, duke e lidhur këtë situatë me qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti, për të cilin tha se ka refuzuar publikisht emërime që dalin nga proceset e KPK-së. Ai gjithashtu ngriti shqetësimin se, sipas PSD-së, një sërë institucionesh publike tashmë janë nën ndikimin e pushtetit, duke përmendur ndër të tjera sektorë si energjia, siguria dhe inteligjenca. Sipas tij, një zhvillim i tillë rrezikon funksionimin demokratik të shtetit dhe ndarjen e pushteteve. Në këtë kontekst, Molliqaj paralajmëroi se zgjedhja e një presidenti të ri, që sipas tij do të ishte i afërt me pushtetin, mund të ndikojë drejtpërdrejt në dekretimin e Kryeprokurorit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke “rrumbullakësuar” kontrollin institucional. Në fund, ai u bëri thirrje aktorëve politikë dhe shoqërisë civile që të reagojnë ndaj, siç i quajti ai, përpjekjeve për kapje të Prokurorisë së Shtetit, duke theksuar se reagimi i hershëm është thelbësor për të shmangur pasoja më të mëdha për sistemin demokratik në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
