Mehdi Polisi

Qerimane Polisi: Ky Nëntor pa Ty

 

                                        Nëntor pa ty

 

                                   Ky Nëntor i lavdisë

 

                            Nëntor i festave dhe krenarisë

 

                        Nëntor ku gërshetohen pikëllimi, lavdia

 

                      Se pa ty këtë Nëntor  syri loton nga mërzia.

 

                                                   —-

 

                              Se për mot festës i jepje simbolikë

 

                                 Me lule mbi varre dëshmorësh

 

                                   E sot 61 lulet e jetës tënde

 

                                       Do t’i thuren kurorës.

 

                                                    —-

 

                                  Në këtë nëntor ku ti nuk je

 

                                   Plot pikëllim jemi edhe ne

 

                              Se ky nëntor i festave kombëtare

 

                                Pa ty na gjeti si bora mbi male.

 

                                                     —-

 

                                  Se festonim bashkë nëntorët

 

                                    Ti, unë, atdheu, me flamur

 

                                Një ditëlindje së bashku e kishim

 

                                  E sot jemi të lodhur nga loti

 

                              Që na mashtron e rrjedh mbi flamur.

 

                                                     —-

 

 

 

                                A ta shpalos flamurin për ditëlindje?

 

                                 Apo si përkujtim të ditës kur ike?

 

                                  E 61 lule kurorës t’i vendosi

 

                           Plot krenari për rrugën që hapërove ti

 

                         E flamuri kombëtar të përcolli në përjetësi. 

Qerimane Polisi: Në 6-mujorin e ndarjes nga jeta dhe 61-vjetorin e lindjes së prof. dr. Mehdi Polisit

Një jetë me ty

 

Të përcolla në çdo hap të jetës. Në punë, në vuajtje e gëzime, së bashku ndamë të gjitha sfidat e jetës, ishe mbështetje e krah i imi, kur sëmundja rëndoi mbi mua. Ti kurrë nuk u lodhe, ti kurrë nuk ndale punën, as atëherë kur sundimi shekullor lëshoi kërbaçin mbi çerdhet e dijes. Ishe krah i studentëve, nuk i braktise as edhe për pasuritë e botës, as për të mirat e jetës, me zell, përkushtim, durim, sfidove jetën, sakrifikove veten, shëndetin dhe familjen. Edhe në terr, në dritë qiriri dhe në të ftohtë, Ti nuk iu ndave dijes, se betimi yt ish që mbi Zotin, dijen dhe punën me nderë, nuk vendos asgjë tjetër. Ne si familjarë jemi krenarë që të patëm Zot shtëpie, të patëm bujarë, të sinqertë, besnik e të palodhur, bashkëshort, mik, shok, që kurrë nuk i deshi të keqen askujt. U mundove që mos lësh anash familjen, miqtë e studentët, prandaj edhe sikur një jetë ta kishim jetuar bashkë, Ti përsëri nuk do të ndryshoje qëndrimin tënd. 60 vjet tuat shembëlluan e na bënë të jemi krenarë që të patëm. Sot gjashtë muaj pa Ty, sa një mal mbi ne, në 61-vjetorin e lindjes, me mungesën tënde fizike, na bëjnë që të ngushëllohemi me udhën që ti e trasove me nder, mirësi, sinqeritet e atdhedashuri.

Me Ty krenarë gjithmonë!

 

 

 Pa ty

 

Pa Ty kemi ra, si zogu pa krah

Se Ty të patëm mbështetje

E tash të lodhur

Si udhëtarë me etje.

 

E sytë na u tretën

Se ngushëllime e forcë ishe Ti

Ti ishe ditë në syrin tim

E tash kam mbetë si fëmijë jetim.

 

Pa Ty jemi plot pikëllim

Se mbi ne një vello me tym

Se ditët rrjedhin po jo si më parë

Ne i kapërcejmë të gjithë zemërvrarë.

 

 Edhe sot pas gjashtë muaj

Pa ty ndjejmë dhembje njësoj

Ne që të patëm prind

Bashkëshort, shok e mik.

Nuk mund të besojmë që Ti ke ikë.

 

Ti je me ne edhe tash e sot

Edhe pse nuk të shohim e prekim dot

Se je me vepra e shpirt me ne

Ishe, do të jesh, gjithmonë ndër ne.

 

 Lavdi punës e veprës tënde

Se kurrë s’u lodhe e pas nuk bëre

Por pa lodhje e durim

Për shqiptari punove pa përtim.

Prishtinë, 6.11.2014.

Kontrolloni gjithashtu

Labëri Qeriqi – Pajaziti: Ditë e rëndë e jetës time

Pas disa kohësh përpjekjeje me veten, mora guximin të shkoj në banesë, ku dikur rrihte …