Qeveria shqiptare ka shpallur diasporën si një ndër prioritetet kryesore të saj, jo vetëm përmes mundësimit të të drejtës së votës në zgjedhjet e 11 majit, por edhe me një strategji të re kombëtare për migracionin që synon kthimin dhe riintegrimin e emigrantëve shqiptarë. Në dokumentin strategjik, i hartuar në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), parashikohet një sërë masash që përfshijnë lehtësimin e politikave për rikthim, promovimin e mundësive të punësimit dhe krijimin e kushteve të favorshme për ata që duan të kontribuojnë në vendin e tyre. Një ndër projektet më ambicioze është parashikuar të nisë në vitin 2026 – një fushatë informuese katërvjeçare mbi mundësitë e punës në Shqipëri, e cila do të zbatohet nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Jashtme, në bashkëpunim me ambasadat dhe shoqatat e emigrantëve, me një vlerë të përllogaritur prej 70 milionë lekësh. Ndërkohë, për sipërmarrësit shqiptarë jashtë vendit do të realizohen anketime dhe konsultime të rregullta, me qëllim matjen e interesit për investime në Shqipëri dhe identifikimin e pengesave institucionale që ata hasin. Ky plan synon të shfrytëzojë potencialin e madh njerëzor të diasporës për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
