Nga 5 maji 2025, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në Izrael pa vizë për qëllime turistike, me kusht që të aplikojnë paraprakisht për autorizimin elektronik ETA-IL. Marrëveshja për heqjen e vizave u nënshkrua në qershor 2024 dhe u ratifikua në shkurt të këtij viti. Ambasadorja izraelite në Kosovë, Tamara Ziv, deklaroi se kjo ka qenë një ndër prioritetet kryesore të misionit të saj, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. Ajo theksoi se më parë kosovarët udhëtonin në Tiranë për të marrë vizën, ndërsa tani udhëtimi është i thjeshtuar. Ziv shprehu bindjen se kjo lehtësi do të nxisë shkëmbimet turistike dhe afariste, duke sjellë përfitime të ndërsjella për qytetarët dhe ekonomitë e të dy vendeve.
