Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një konferencë për media, shprehu shqetësimin e bizneseve për pasojat që po sjell kalimi në Tregun e Lirë të energjisë elektrike. Ai kërkoi nga ZRRE pezullimin e këtij tregu deri më 1 shkurt, duke theksuar se rritja e çmimeve po dëmton rëndë prodhuesit vendorë.
“Pasojat tashmë janë evidente – importi është rritur me 12% dhe me ardhjen e vjeshtës pritet rritje e mëtejme e çmimit të energjisë. Kjo e bën të pamundur konkurrencën me prodhimet e importuara dhe ka nisur të bie eksporti,” tha Rafuna.
Sipas tij, bizneset janë të detyruara të lidhin kontrata me kushte të pafavorshme dhe nuk po gjejnë oferta konkurruese në treg. Ai akuzoi institucionet për mungesë veprimi dhe paralajmëroi se Oda Ekonomike do të ndjekë rrugën ligjore për pezullimin e tregut të lirë, deri në krijimin e kushteve të barabarta.