Ramadan Jetullah Musliu ( 8 maj 1923 - 24 nëntor 1997) një atdhetar militant, i panjohur sa duhet për opinionin

Ramadan Jetullah Musliu (8 maj 1923 – 24 nëntor 1997) një atdhetar militant, i panjohur sa duhet për opinionin

Zbulimi i një pjese të dosjes së Ramadan Jetullah Musliut nga fshati  Reçak i Shtimes, të cilin e kishte përcjellë dhe e kishte vëzhguar  gjatë qëndrimit në burg,  oficeri i Shërbimit të Shtetit jugosllav (UDB) Drago Boshkoviq, vë në pah disa rrëfime e komente  shumë me rëndësi  të jetës dhe sjelljeve të tij, në hetuesi dhe në burg. Boshkoviq  kishte  hartuar një dosje të shkurtë, por të pasur me  mjaft të dhëna, sidomos të qëndrimit të pathyeshëm e burrëror të të burgosurit politik, Ramadan Jetullah Musliut, të cilin e përshkruan si një kryengritës të patundur në mendimet, qëndrimet  dhe veprimet e tij. Raporti, të cilin ai e ka nënshkruar, me vlerësimet e tij lidhur me Ramadanin, në radhë të parë janë përshkruese, me disa të dhëna biografike, por ato që vërehen më shumë janë qëndrimet, zbulimet dhe komentet e tij për të burgosurin e pathyeshëm shqiptar, nga Reçaku i Shtimes. 

 

Ramadan Jetullah Musliu ka lindur me 8 maj të vitit 1923, në Reçak, në afërsi të Shtimes.

Kishte kryer katër  klasë të shkollës fillore, në gjuhën serbe, meqë në kohën e regjimit të Jugosllavisë monarkike, jo vetëm që nuk lejohej shkollimi shqip por ndalohej me ligj dhe trajtohej si vepër e rëndë penale, qoftë edhe një abetare e fshehtë apo fletore  në gjuhën shqipe.

Ai  kishte dy  vëllezër, Smajlin dhe Musliun dhe dy  motra, Xhevën dhe Hamiden.

Më 25 prill të vitit 1950, është arrestuar  në Titograd.

Gjyqi Ushtarak në Sarajevë e ka dënuar me  katër vjet burg të rëndë    dhe pas vuajtjes së  dënimit,  një vit me humbjen e të gjitha të drejtave qytetare.

Pas daljes nga Burgu ka jetuar në vendlindjen e tij është marrë me punë private, pasi si  i burgosur politik, për veprimtari atdhetare në pozita të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve,  konsiderohej përjetë edhe si kundërshtar i regjimit të  atëhershëm të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe të Serbisë së Millosheviqit.

Duke u bazuar në përcjelljen zyrtare që i ka bërë zyrtari i shërbimit sekret të UDB-së, Ramadan J. Musliut, ai  nuk sjellë të dhëna se është dënuar vetë apo me bashkëveprimtarë të tjerë, pasi të dhënat e tilla nuk ishin objektiv i gjurmimit, për të cilin ishte autorizuar.

Nga të dhënat që ka sjellë, oficeri i Shërbimit të Shtetit (UDB) Drago Boshkoviq, kuptojmë se Ramadani ka qenë i akuzuar në platformë të Informbyrosë, ashtu sikur kanë qenë edhe  Rifat Berisha, nga fshati Berishë, Rashit Plakiqi, nga Nekovci, Ibrahim Gashi nga Llapushniku, Ukë Plakiqi nga Nekovci, Hazir Latifi nga Kizhareka, Muharrem Alushani  nga Komarani, Dervish Berisha, i fshatit Berishë, Shaqir Mani i Carrallukës, Zenë Gashi i Prapashticës e shumë të tjerë anë e mbanë Kosovës.

Zyrtari i UDB-së, Boshkoviq duke folur për qëndrimin e tij në burg ka shkruar në dosjen e tij se “me rastin e Rezolutës së Informbyrosë, Ramadani ka përkrahur atë dhe përfundimisht në vitin 1949 ka filluar veprimtarinë e tij kundër RSFJ-së duke mos u pajtuar me të dhe duke mbështetur qëndrimin se Kosova duhet t’ i bashkohet Shqipërisë.  Ka menduar të shkojë në Shqipëri dhe ka propaganduar në dobi të Rezolutës së Informbyrosë.

Pas lirimit nga burgu, me të drejta të kufizuara dhe vazhdimisht në vëzhgim, Ramadani kishte qëndruar në shtëpi. Për ta mbajtur familjen është marrë kryesisht me ndërtimtari pasi kishte bërë edhe emër si mjeshtër i ndërtimeve.

Ramadani nga shokët më të afërt e ka pasur,  Nebih Nazif Hysenajn nga Petrova.

Kjo pjesë e biografisë së shkurtër të Ramadan Jetullah Musliut është e mangët në të dhëna, por tani për tani botohet me rastin e zbulimit të një pjese të dosjes së tij. Në të ardhmen mbetet që  biografia e këtij atdhetari të paepur të ndriçohet e të plotësohet me të dhëna të tjera.

Ramadani qenë i martuar me Fatimen, me të cilën ka lënë nëntë bija e bij: Haxherën, Eminen, Shefqetin (Veteran i UÇK-së), Nusretin ( invalid i luftës, i plagosur me Komandantin, Mujë Krasniqi më 14 dhjetor 1998,  në Pashtrik, tani i ndjerë) Afrimin (Veteran i UÇK-së), Zadën (e ndjerë) Makfiretën, Avdullahun (Veteran i UÇK-së) dhe Sebahaten.

Ramadan Jetullah Musliu ka vdekur më 24 nëntor të vitit 1997, në Reçak.

Përveç familjes nuk ka hulumtuar askush deri tani  për jetën, veprimtarinë apo aktivitetin e tij, qoftë mënyre institucionale, apo vullnetare.  Një pjesë të dosjes për dënimin me burg dhe kohën e kaluar në burgjet e Jugosllavisë, pas 71 vitesh e ka zbuluar në Arkivin Shtetërore të Kroacisë, djali i tij Avdullahu, luftëtar i lirisë  dhe veteran i luftës së UÇK-së.

Teksti i zbuluar nga dosja e  Ramadan Jetullah Musliut, nga oficeri serb i UDB-së, Drago Boshkoviq,  është përthyer nga gjuha serbokroate, nga autori i këtij shkrimi, Ahmet Qeriqi.

Vëzhgimi dhe vëmendja për Ramadan Jetullah Musliun (Jetullah Musli Ramadan, në origjinal, sipas radhitjes së emrave  në gjuhën serbe) i fshatit  Reçak i Shtimes,  nga oficeri i Shërbimit të Shtetit (UDB) Drago Boshkoviq

 

Ramadan Jetullah Musliu u lind më 8 maj të vitit 1923, në Reçak të Shtimes, rrethi i Ferizajt, nga babai Musliu dhe nëna Zade e gjinisë, Salihaj. Me kombësi shqiptar, shtetas i RSFJ-së, me profesion bujk.

Rrjedhë nga një familje e varfër fshatare.

Para Luftës ( së Dytë Botërore) ka mbaruar katër klasë të shkollës fillore.

Ka jetuar në fshat dhe është marrë me punë të bujqësisë…

Gjatë luftës në vitin 1944 ka qëndruar në shtëpi.  Po atë vit është rekrutuar në radhët e trupave gjermane SS, me të cilët ka shkuar në Pejë, ku edhe e kanë armatosur. Pasi ka marrë armët së bashku me një shok të tij,  kanë ikur nga radhët e trupave gjermane  dhe është kthyer në shtëpi. Thotë se gjatë asaj kohe, deri kur është mobilizuar në Armatën jugosllave  nuk e ka thirrur askush. Babai dhe tërë familja e tij janë në pozita të shteteve perëndimore.

 

Në Armatën Jugosllave ka hyrë jo nga atdhedashuria por ka vepruar sikur shumë të tjerë. Ka shërbyer në ushtri derisa është arrestuar. Ka qenë rreshter i klasit të parë, në detyrë të komandantit të çetës. Nuk ka qenë anëtar i partisë. Ka qenë anëtar i Lidhjes Socialiste deri në vitin 1948, por për shkak të sjelljeve kryengritëse dhe mospajtimit me zyrtarët e lartë pas disa muajve është përjashtuar nga radhët.

Ka qenë i dekoruar me medalje për trimëri  dhe medalje  për shërbim të popullit.

 

Me rastin e Rezolutës së Informbyrosë ka përkrahur atë dhe përfundimisht në vitin 1949 ka filluar veprimtarinë e tij kundër RSFJ-së duke mos u pajtuar me të dhe duke mbështetur qëndrimin se Kosova duhet t’ i bashkohet Shqipërisë.  Ka menduar të shkojë në Shqipëri dhe ka propaganduar në dobi të Rezolutës së Informbyrosë.

 

Është arrestuar  më 25 prill të vitit 1950, në Titograd. Gjyqi Ushtarak në Sarajevë e ka dënuar me  katër vjet burg të rëndë    dhe pas vuajtjes së  dënimit,  një vit me humbjen e të gjitha të drejtave qytetare.

 

Pas arrestimit,  është sjellë në mënyrë të dhunshme.

Gjatë hetimeve në paraburgim nuk ka pranuar asgjë dhe ka bërë përpjekje të mashtrojë hetuesit, me të cilët është sjellë  me agresivitet   dhe në mënyrë të vrazhdë.

Gjatë vuajtjes  së dënimit në  Shtëpinë Ndëshkuese Korrektuese ka kërkuar rigjykim. Prej fillimit  është paraqitur armiqësisht,  madje krejt hapur. Masat edukuese korrektuese i ka  pranuar me  shpërfillje  dhe dykuptimësi. Vazhdimisht është munduar të paraqitet si i pa interesuar dhe i pa arsimuar, por i ka kuptuar të gjitha. Ka qenë dhe ka mbetur dhelparak, i fshehtë në punën dhe qëndrimet e tij. Në vitin e fundit të dënimit ka qenë indiferent dhe  i mbyllur në vetvete.

Ne konsiderojmë se  ai ka llogaritur në kohën e shkurtë që i kishte mbetur për ta kryer burgun dhe pretendonte të mos vërehej, të mos imponohej me të burgosurit e tjerë.

Konsiderojmë po ashtu se ai  vuan nga një motiv shumë  shovinist dhe i tillë ka mbetur dhe shumë lehtë do t i bashkohej  çdo veprimtarie  dhe  aktiviteti armiqësor.

Në këtë moment duhet pasur shumë kujdes për veprimet e tij.

Është i dhënë pas mashtrimeve dhe deklaratave spekulative, me të cilat gjithnjë mundohet të nxjerrë përfitime për veten. Mundohet në mënyrë perfide ta lë anash  çdo punë të rëndë apo detyrë të vështirë, që i ngarkohet.

 

Jemi të mendimit se ai nuk ka asnjë cilësi pozitive në karakterin e tij, që është  zhvilluar  në qenien  e tij.

 

Më 10 maj 1954.

Vëzhguesi, Boshkoviq Drago

 

Autori i shkrimit dhe i përkthimit:

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

Tetor 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka …