Tri qytete – Rambuje, Vjenë e Bruksel – përfaqësojnë tri kapituj historikë të Kosovës. Dy të parat i dhanë fund luftës dhe përcaktuan pavarësinë, ndërsa i treti, ai i Brukselit, pas më shumë se 12 vjetësh dialog, mbetet i bllokuar. Procesi që nisi më 2011, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, solli marrëveshje të shumta teknike e politike, por pak zbatim real. Tensionet arritën kulmin pas sulmit në Banjskë më 2023, duke ngrirë dialogun mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit. Ish-diplomati Ylber Hysa thotë se Brukseli nuk arriti të ruajë unitetin e Rambujesë e Vjenës, ku Perëndimi vepronte si një trup i vetëm. Edhe Marc Weller vlerëson se mungon presioni i balancuar dhe angazhimi i koordinuar ndërkombëtar. Sipas analistëve, dialogu ka humbur drejtimin dhe është shndërruar në ruajtje të status quo-së. “Modeli i suksesit për Kosovën ishte uniteti transatlantik – dhe sot ai mungon,” thekson Hysa. Në këtë ngërç politik, heshtja e Brukselit mund të jetë lajmi i vetëm… dhe, siç thotë Hysa, “ndoshta lajmi i mirë.” ReL.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
