Pas mbivotimit të kandidaturës së tij në Kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar duke theksuar se e pret fitoren vetëm me përkrahjen e qytetarëve të komunës dhe jo me anëtarët e Kryesisë së partisë. Në votimin e zhvilluar dje për kandidatin e PDK-së për kryetar të Drenasit, 26 nga 31 anëtarë të pranishëm të Kryesisë votuan kundër Lladrovcit, pavarësisht që ai kishte mbështetjen e degës lokale. Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kanë shprehur përkrahje për Lladrovcin. Në deklaratat e tij, Lladrovci e ka cilësuar këtë proces të padrejtë, duke nënvizuar se gjatë nëntë viteve të qeverisjes ka arritur zhvillime të mëdha në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe ekonomi, ndërsa ka ruajtur integritetin ligjor të komunës. Ai ka shtuar se nuk do të dorëzohet dhe se përkrahja e qytetarëve do të jetë përcaktuese për të ardhmen e tij politike.
