Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj mënyrës se si në debatin politik të ditëve të fundit po përdoret mungesa e liderëve të UÇK-së dhe PDK-së, duke theksuar se historia e Kosovës nuk duhet të shndërrohet në mjet për konfrontime mes pozitës dhe opozitës. Në një deklaratë publike, Lladrovci ka vënë në pah rolin historik të disa prej figurave kyçe të çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar ndjeshmërinë e çështjes. “Institucionet e shtetit, vendet aleate dhe miqtë, PDK si konstanta e shtetit, atdhetarët dhe familjet e heronjve tanë të luftës dhe paqes e ndjejnë mungesën e Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve,” është shprehur ai. Sipas tij, këta liderë kanë luajtur një rol vendimtar në periudhat më të vështira për vendin dhe, për këtë arsye, përmendja e tyre në kontekste denigruese nuk u shërben as demokracisë, as unitetit politik. Reagimi i Lladrovcit vjen në një kohë kur diskursi politik në vend është intensifikuar, shpesh duke përfshirë akuza të ndërsjella për të kaluarën dhe trashëgiminë e UÇK-së.
