Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, për ngecjen e zgjatur në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Lladrovci e ka cilësuar të papërgjegjshëm dhe arrogant qasjen e VV-së karshi situatës politike dhe institucionale në vend. Sipas tij, numrat aktualë në Kuvend nuk i japin kësaj partie legjitimitet të plotë për të udhëhequr e vetme. “Mos i hidhni Kosovës gurë nën rrota. Disave matematika nuk po ju vlen, 48 nuk janë 61. Kur një parti është e para me 42.2%, ka përgjegjësi të ftojë partitë e tjera për të ndërtuar një shumicë funksionale”, shkroi ai. Qasja e izoluar dhe refuzimi i bashkëpunimit nga ana e VV-së po e thellon krizën institucionale dhe po e shton varfërinë në një vend tashmë të goditur nga sanksionet dhe sfidat ekonomike. Duke kujtuar shembullin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i cili me 58 deputetë kishte arritur të formojë institucionet pas zgjedhjeve, Lladrovci e cilësoi të pakuptimtë krahasimin me shtete të zhvilluara si Belgjika. “Nëse arrin 61 vota, le ta formojë edhe Qeverinë. Por mos e pengoni ecjen përpara të Kosovës për shkak të interesave të ngushta politike. Prisni atë që e keni ndërtuar vet, jo themelet e të tjerëve”, përmbylli Lladrovci.
