Ramiz Varvarica (1900- 1938)

Ramiz Varvarica (1900- 1938)

Në mesin e luftëtarëve internacionalistë shqiptarë, që luftuan fashizmin e Frankos në Spanjë në vitet 1936- 1938 ishte edhe  Ramiz Varvarica. Ai ishte në mesin e vullnetarëve nga Shqipëria e trojet shqiptare të Kosovës e Maqedonisë së pushtuar nga Jugosllavia despotike e monarkike. Në luftën e Spanjës  kanë marrë pjesë edhe:  Xhemal Kada, Asim Vokshi, Mehmet Shehu, Petro Marko, Zef Hoti, Urfi Agolli, Daut Muço Podgorani, Skënder Luarasi, Dhimitër Kosta, Emrush Myftari, Faik Dardha, Hulusi Spahiu, Ibrahim Kurani, lljaz Pashai, Justina Shkupi Kosta Kolombo, Mane Nishova, Musa Fratari, Petro Marko, Qamil Sherifi, Stefan Duni, Stivens Thanasi, Shaban Basha, Teni Konomi, Thimjo Gogozoto, Veli Dedi, Xhafer Miraka, Imer Puka, Zef Prela, Zihni Muço, Emin Agolli, Feim Muço, Hamdi Kolonja, Thoma Rushano, e shumë të tjerë.

Ramiz Varvarica  u lind në vitin 1900, në familjen e Fejzullahut. Prindërit e tij, Fejzullahu dhe Zadja, ndërruan jetë në moshë të re. Për rritjen e edukimin e Ramizit trevjeçar dhe vëllait të tij më të madh Saliut u kujdesen xhaxhallarët.

Qysh  në moshë të re Ramizi u përball me vështirësitë e jetës. Kullat e Varvaricave u dogjën e u shkatërruan disa herë nga pushtuesit turq e serbë, por nga dashuria për vendin e tyre, ato i rindërtonin derisa egërsia serbe e bëri të pamundur jetesën në trojet e tyre. Vëllezërit Varvarica emigruan një e nga një drejt Shqipërisë së cunguar.

Në vitin 1913 Saliu u vendos në Elbasan, ku punoi gjatë gjithë kohës në PTT. Kishte një djalë Nazmiun që, megjithëse i verbër, ka qenë violinist me emër në grupin e Sul Myzyrit.

Ramiz Varvarica fillimisht u vendos në Peshkopi, ku dhe u shkollua. Më vonë u sistemua në Tiranë në lagjen “Babarake” – sot rruga “Siri Kodra” – në shtëpinë e Ahmet Maliq Varvaricës. Që në fëmijëri ai ndjeu shtypjen e mizoritë e pushtuesit serb. Tek ai kaliten qëndresa e trimërisë, ndërsa u edukua patriotizmi i flaktë nga bisedat në odat dibrane, cilësi që do ta karakterizonin gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër. Në ngjarjet e vrullshme të viteve 1919-1920, Ramizi gjendej në ballë të luftës. Ai ishte oficer i Ushtrisë Shqiptare. Dibrani trim u bënte thirrje oficerëve italianë në Gjirokastër që nga porta e kalasë të dilnin vetëm, pa materialet ushtarake. Dhe, kështu u bë. Ai mori pjesë në mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Lushnjës, luftoi me trimëri në luftën e Vlorës në 1920, e në shpartallimin e ushtrive serbe në shkallë të Tujanit dhe në Gurë të Bardhë. Ramizi ishte militant e demokrat revolucionar dhe ruante idealin e një Shqipërie demokratike. Ai mori pjesë edhe në Revolucionin Demokratik të vitit 1924 përkrah Fan Nolit. Ndërsa, pas rënies së qeverisë së Fan Nolit emigroi në Francë, ku punoi në disa miniera dhe në industrinë e prodhimit të automobilave. Atje u dallua si një sindikalist aktiv e revolucionar.

Stuhia e fashistëve të viteve 1936 kapërceu kufijtë e vendeve ku lindi. Ai gllabëroi shumë popuj. Ramizi, më i pjekur se kurrë, me një përvojë të gjithanshme e vlerësoi situatën ndërkombëtare, gjendjen e vështirë të vendit të tij dhe rrezikun fashist për të gjithë popujt. Ai kuptoi dhe iu përgjigj që në fillim thirrjes së popullit spanjoll: kapërceu Pirenjt dhe u gjend në tokën spanjolle, atje ku koalicioni fashist demonstronte fuqinë e tij kundrejt popullit të paarmatosur.

Ramizi luftoi me trimëri, në fillim si luftëtar i thjeshtë. Më pas, duke vlerësuar aftësitë e tij në fushën e betejës, u gradua kapiten në brigadën e XII “Garibaldi”. Ata që e kanë njohur Ramizin në Spanjë, në shkrimet e tyre kujtojnë mirë një këngë që luftëtarët e brigadës “Garibaldi” kishin ngritur për të:

“Sa mirë përparon kompania parë

Është më e forta në gjithë batalionin,

Sepse komandon Ramizi nga Shqipëria

Ramiz Albanezi më i fuqishëm se topi”.

Brigada “Garibaldi” zhvilloi luftime të ashpra për mbrojtjen e Madridit. Në këto luftime Ramizi u plagos rendë.

Justina Shkupi, motra apo “Shqiptarja e vogël” siç e quanin vullnetarët, vraponte nëpër llogore duke ndjekur e kuruar të plagosurit. Ajo shërbeu në spitalin e brigadave internacionale në Murcia dhe kujtonte se “ia kam prerë fashot Ramizit, i nxirrja plumbat sa herë u plagos dhe kujtoj se sa e donin shokët”.

Në prill të vitit 1938, koalicioni fashist i Hitlerit, Musolinit e Frankos kishin ndërmarrë një ofensivë të egër e të papërmbajtur në frontin e Aragonës. Ramizi me të plagosurit dhe të sëmurët ishte vendosur në këndin ku lumi Gualdalupe derdhet në Ebro, pranë Kaspes. Ai u sulmua nga dy batalione. Të gjithë vendosen të luftonin e që tek fashistët të mos dorëzoheshin. Të nesërmen në mëngjes erdhi një korrier që njoftoi se kapiteni Ramiz Albanezi po përballon dy batalione dhe se kërkon ndihmë. Njeriu i fundit me të cilin u pa Ramiz Varvarica dhe që i mbylli sytë ishte shkrimtari shqiptar, Petro Marko.

Ai kujton: “Kur vamë ne, asnjë krismë nuk dëgjuam. Të gjithë të plagosurit dhe të sëmuret kishin luftuar dhe ishin vrarë. Ramizin e gjetëm mbi një mitraloz, të copëtuar të bërë shoshë. Ai ishte akoma gjallë. Plumbat e kishin marrë dhe në fyt. Kur më pa, më njohu e desh të fliste, por zëri i dilte si ulërimë. Më shtrëngoi duart dhe pastaj i lëshoi. I zura sytë dhe lotët me rrodhën çurk. Shokët e tjerë më panë dhe s’më thanë gjë, se dhe ata qanë për Ramiz Varvaricën, luftëtarin shqiptar që kishte shpëtuar bataljonet nga rrethimi”.

Të tjerët që kanë luftuar dhe kanë rënë  në Spanjë janë: Zef Hoti nga Shkodra, Urfi Agolli dhe Ramiz Varvarica nga Dibra e Madhe, Asim Vokshi e Xhemal Kada nga Kosova, Zeni Konomi nga Korça, Musa Fratari nga Permeti, Thimio Gogozoto nga Çamëria, Dhimitraq Kosta nga Leskoviku etj. (shqiptarja)

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo (1865- 1939) atdhetar, politikan dhe veprimtar i dalluar i kombit

Ibrahim Temo ka lindur në vitin 1865 në Strugë të Maqedonisë së sotme dhe ka …