Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, së bashku me Nënkryetarin, z. Sami Cacaj dhe bashkëpunëtorët, shënimin e përvjetorit të 18-të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e filluan me homazhe në qendër të qytetit dhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, duke nderuar sakrificën më të shenjtë për lirinë e Kosovës.
“Para lapidarëve të dëshmorëve u përkulëm me krenari e dhimbje, duke kujtuar bijtë më të mirë të këtij vendi, të cilët flijuan jetën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë. Çdo emër i gdhendur në gur flet me heshtje, por me forcë të madhe për guxim, për dashuri ndaj atdheut dhe për lirinë që nuk ka çmim.
Në këto vende të shenjta kujtese, ndjejmë peshën e historisë dhe përgjegjësinë për ta ruajtur lirinë si amanet. Këtu betohemi se sakrifica e dëshmorëve nuk do të harrohet kurrë dhe se Kosova do të ecë përpara, gjithmonë me respekt ndaj gjakut të derdhur për të.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi sakrificës që na solli lirinë, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryetari Ramosaj.