Malisheva shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë

Malisheva e shënoi 17 Shkurtin – Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, përmes aktiviteteve solemne dhe nderimeve të veçanta. Në këtë ditë të shënuar, u vlerësua thellë sakrifica e brezave të tërë për liri dhe pavarësi, një rrugëtim i gjatë që kulmoi me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe shpalljen e shtetit të pavarur. Edhe këtë vit, ashtu si në vitet e fundit, u përsërit kërkesa për liri dhe drejtësi për krerët e luftës së UÇK-së që po gjykohen në Hagë, si dhe u bë thirrje për pjesëmarrje në marshin “Drejtësi, jo politikë”.

Kuvendi i Komunës së Malishevës mbajti një mbledhje solemne, ku përveç asamblistëve morën pjesë familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, drejtues institucionesh, përfaqësues fetarë dhe një numër i madh qytetarësh.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, kryetari Ekrem Kastrati foli me respekt për përpjekjet shekullore të kombit shqiptar për liri, për luftën e drejtë të UÇK-së dhe për angazhimin e komunës në ndërtim dhe zhvillim ndër vite. Ai theksoi edhe sakrificën e krerëve të UÇK-së që mbahen në Hagë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në marshin e organizuar në Prishtinë.

Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fatmir Ademaj, nënvizoi rëndësinë historike të kësaj date, duke përmendur në mënyrë kronologjike sakrificat e popullit shqiptar deri te çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Sipas tij, liria e sotme është fryt i drejtpërdrejtë i luftës së UÇK-së.

Në emër të OVL të UÇK-së në Malishevë foli Feriz Krasniqi, i cili theksoi peshën e luftës çlirimtare dhe sfidën e vazhdueshme për të mbrojtur të vërtetën e saj.

Aktivitetet përkujtimore u përmbyllën me homazhe dhe nderime pranë varrezave të dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, si dhe me pjesëmarrje masive në marshin “Drejtësi, jo politikë”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ekrem Kastrati bëri homazhe në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit

Në shënim të 27-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Ibrahim Mazrreku, Kujtim Krasniqi, …