Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që në zgjedhjet parlamentare të së dielës, më 25 tetor, të votojnë masivisht për Koalicionin Shqiptar, i cili garon me numrin 17. Përmes një mesazhi publik, Çitaku ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, duke vlerësuar se përfaqësimi më i madh i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë do të fuqizonte zërin e tyre politik dhe përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Ajo ka kërkuar mobilizim të gjerë të votuesve shqiptarë, duke i ftuar që jo vetëm të votojnë, por edhe të angazhohen për të nxitur pjesëmarrjen e bashkëkombësve të tyre në procesin zgjedhor. “Sa më shumë deputetë shqiptarë në Parlament, aq më shumë përfaqësim, mbrojtje, të drejta e fuqi për shqiptarët”, ka shkruar Çitaku. Sipas saj, një përfaqësim më i fuqishëm politik është i rëndësishëm edhe për përballjen me politikat që ajo i cilësoi si diskriminuese dhe përndjekëse ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Çitaku e ka cilësuar votimin e së dielës si një moment përcaktues për shqiptarët në këtë rajon, duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe. “Prandaj, nesër, secili shqiptar e secila shqiptare jo vetëm të votojë, por edhe të bëhet pjesë e mobilizimit, që çdo votues shqiptar të dalë në zgjedhje”, ka përfunduar ajo, duke i uruar sukses Koalicionit Shqiptar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
