KEK
Fillimi / Opinione / Ramush Ahmetaj: Kisha e Shën Nestorit në Bellen e Epërme
Ramush Ahmetaj: Kisha e Shën Nestorit në Bellen e Epërme

Ramush Ahmetaj: Kisha e Shën Nestorit në Bellen e Epërme

Belleja është ndër vendbanimet më të vjetra të Kosovës. Shtrihet në veriperëndim të Deçanit, në rrafshnaltën përmbi bregun e majtë të lumit Lumbardh, gjashtë kilometra mbi Manastirin e Deçanit, rrëzë Grykës së Deçanit, në Alpet Shqiptare. Është lokalitet malor. Fshati përbëhet prej tri lagjeve: Belleja e Poshtme, Belleja e Mesme dhe Belleja e Epërme. Është vend arkeologjik dhe ka shumë gjurmë dhe rrenoja të objekteve dhe ndërtimeve të vjetra.
Në Bellen e Poshtme janë gjurmët e një kishëze në Shpellën e Madhe e cila u takon shekujve IV-VI të erës sonë. Kishëza në Shpellën e Madhe gjendet afër Kullës së Qelisë, lokalitet ky poaq i vjetër sa kishëza e Shpellës së Madhe. Në Bellen e Mesme egzistonte Kisha e Shën Nikollës, e cila u takon shekujve IV-VI të erës sonë, kurse në Bellen e Eerme gjendej Kisha e Shën Nestorit të cilën e dogjën turqit në shek XVI dhe prej aty Shën Nestori e merr kryqin e kësaj kishe dhe e vendos në Manastirin e Deçanit ku gjendet edhe sot. Punimi i këtij kryqi zgjati 4-5 vite dhe u përfundua më 31 gusht të vitit 1565. Ky kryq kaq monumental u punua sipas porosisë së plakut Nestor të fshatit Belle e Epërme dhe vëllazërisë kishtare deҫanase nga mjeshtrit e jeremonakut Nikodim.
Plaku i ditur Nestor asokohe, bazuar në shënimet e Riznicës, ishte drejtues i kishës Ogorioҫ-Gorioҫ të Shën Nikollës në Belle, ai nuk ka jetuar në Deçan, siç thotë edhe studiusja e famshme kroate e Kishës së Deçanit, zonja M.Shakota, por ka pasur shumë ndikim në rregullimin e mirëvajtjës së kishës së Deçanit dhe kishave tjera që gjendeshin në rajonin e Deçanit. Deri në fund të shek.XX, kryqi i Nestorit, vëhej pranë ikonave të Krishtit në kishën e Deҫanit me rastin e festave të krishtera. Kryqi i Nestorit është i vetmi i këtij lloji, që gjendet vetëm në kishën e Deҫanit. Është trashëgimi kulturore e popullit shqiptar të këtyre anëve, kuptohet i punuar nga mjeshtrit e Deçanit me rrethinë që merreshin me punimin e drurit.
Kjo vepër artistike e mendësisë së banorëve të këtyre anëve, pra e plakut të urtë të Bellesë-Nestorit, ku janë shkruar edhe tekstet, në këtë kryq (i njohur si Kryqi i Nestorit), të ngjyrosura me ngjyra të ndryshme, janë të shkruara në gjuhën kishtare ortodokse serbe, sepse i është dedikuar kishës si dhuratë, por përmbajtja e teksteve dhe liturgjive në të korrospondon me lutjet e vjetra që i bënin asketët e krishter në Belle e pjesë tjera të këtyre hapsirave. Kryqi i plakut të urtë Nestorit, është i gëdhendur në drurin e tisit me dimenzionet 210 x 136 x 12 cm e bashkë me mbajtësen është i lartë 2.50 cm. (Tisi është dru fisnik dhe i çmuar, banorët e Deçanit shpesh herë këtë dru ua vendosnin fëmijëve të vëgjël në rroba për mësysh).
Në Belle tri kishat dhe monumentet tjera si Kulla e Qelisë, Kështjella e ndërtuar në mes të Bellesë së Mesme dhe Bellesë së Epërme, kishëza e ndërtuar në Shpellën e zezë e vepra tjera u takojnë periudhave iliro-romake, gjurmët e disa prej këtyre monumenteve janë ruajtur gjër më sot. Kjo është një pjesë e historisë së të parëve tanë të Belles. Tash së fundi ka filluar të bëhët evidentimi i hapësirave arkeologjike në 17 vendbanime të Deçanit, të cilat dëshmojnë autoktoninë shekullore të popullatës shqiptare në këto treva. “Kulla e Qelisë” apo “Kështjella e Jerinës”, që gjendet në kompleksin arkeologjik të Belles, është një vendbanim i shekullit të dytë të erës sonë.
Atje ende shihen themelet e mureve, të cilat rrethojne afro nëntë hektarë tokë të këtij vendbanimi të lashtë, duke i përfshirë këtu edhe varrezat e vjetra ilire, të cilat gjenden afër kullës së Demush Tahirit, vendi quhet Bregu i Vorreve. Rrënojat e tri kishave të vjetra dhe kishëzave asketike në Shpellën e Zezë, janë dëshmi të prekshme të historisë sonë shekullore të truallit të hershëm të bellagjive por edhe banorëve tjerë të fshatrave tjera për rreth Belles.
Po të hulumtohet dhe të gjurmohet me përkushtim nga arkeologët dhe hulumtuesit tjerë të fushave të historisë, Deçani, Belleja dhe vendbanime tjera të lokalitetit të Deçanit dalin me qytetërim të lashtë. Këto të dhëna i plotëson edhe një fakt tjetër i rëndësishëm, se Komuna e Deçanit është ndër vendet më të pasura në Kosovë me hapësira arkeologjike. Në këtë territor ka qënë rruga antike, e Prapshtisë e cila ka qenë segment i rrugës Via Egnatia e cila e ka lidhur këtë pjesë të Dukagjinit me Plavën dhe Gucinë. Në kompleksin e Qelisë gjendet edhe Kisha e Simonit e cila përmendet në tefterin e Sanxhakut të Shkodrës. Në vitin 1660, monahët e Kishës së Deçanit ishin detyruar të iknin nga ushtria turke dhe ishin fshehur në Belle.
Në Belle ata i kishin fshehur edhe mjetet e çmueshme të riznicës si: ikonat, kryqat, enët e florinjta e të arta, librat në dorëshkrim, dëshmitë (povelje)-dëftesat, dhe tjera mjete të privilegjuara që asokohe ishin të shumta në manastir. Mendohet se një pjesë e kësaj pasurie edhe sot e kësaj dite gjendet e fshehur në Belle, për këtë arsye klerikët e Manastirit nëpërmjet KFOR-it çek, kanë bërë disa gërmime klandestine jo vetëm në Deçan, por edhe ne Pëje e në Rugovë, e po kështu edhe në Kullën e Qelisë, sigurisht gërmojnë për ti gjetur thesaret e humbura.
Duhet cekur se pas 4-5 vitesh, monakët i nxorrën një pjesë të mjetetve nga fshehtësia ose nga vendet ku ata i kishin gropuar dhe filluan përsëri punën në kishën e Deçanit. Pas këtyre vuajtjeve klerikët e Manastirit të Deçanit i bënë një varg ankesash në Stamboll dhe më 1696, sulltani i kishte shkruar dy fermane me të cilat vërtetonte se igumani i Deçanit kishte Statusin e sokollarëve dhe ishte i privilegjuar sipas këtij statusi. Nga fortifikimet, faltoret e kishat ilire dhe paleo-bizantine të asaj kohe, në këtë fshat të lashtë, edhe sot e kësaj dite kanë mbetur gjurmët arkeologjike, siç janë vizatimet e mbishkrimet në shpellat e shumta në terrenet e katundit të Bellesë, dhe gjurmët e rrugëve dhe pikëvrojtimeve të këtyre anëve, të përdorura aq shumë në kohën antike ilire-romake. Kisha e Shën Nestorit në Bellen e Epërme ka qenë e ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje.
Çatia ka qenë e mbuluar me rrasa guri. Në dokumentet e Krisobulës së Deçanit por dhe në Tefterin e Sanxhakut të Shkodrës, nuk është shkruar për datën e ndërtimit të kësaj kishe, por flitet për vendin ku ka qënë e ndërtuar, formën dhe madhësinë e saj. Madje kisha e e Shën Nikollës në Belle, është e pikturuar në muret e Kishës së Deçanit, poashtu edhe një pjesë e historikut të kësaj kishe gjendet në librat e Riznicës. Sigurisht Kisha e Shën Nestorit ka qenë kishë e vjetër paleo kristiane sepse aty afër kanë qenë Shpellat e asketëve, e që sipas të gjitha gjasave jeta asketike në këto shpella mund të ketë qenë gjeneza e fillimit të jetës në Kishën e Nestorit në Bellen e Epërme, në Kishën e Shënë Nikollës në Bellen e Mesme dhe në Kishat e Bellesë së Poshtme. Manastiri i Shën Nikollës në Bellenë e Eperme ka qenë i zbukuruar brena me dru tisi, molike dhe bungu.
(Pjesë nga Monografia në dorshkrim, “Belleja Vend i Kreshtave të Bardha” e autorit Faton B. Mehmetaj)
Ramush Ahmetaj: Kisha e Shën Nestorit në Bellen e Epërme

Kontrolloni gjithashtu

Ali Hertica

Ali Hertica: Çdo sundimtar e bën përdorimin e gënjeshtrës dhe arsyetimin për të justifikuar pushtetin e tij

Çdo sistem politik ka në bërthamën e tij ideologjinë. Sistemi më i zakonshëm është quajtur ...