Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të mbështesë një kandidat konsensual për kryeparlamentar, me qëllim të shmangies së bllokadës institucionale në Kuvendin e Kosovës. Në një deklaratë për media, Haradinaj theksoi se vonesat në konstituimin e Kuvendit po e dëmtojnë vendin dhe kërkoi veprime të menjëhershme për të zhbllokuar situatën. Ai tha se AAK-ja është e gatshme të japë votën e saj për një kandidat konsensual që në seancën e parë parlamentare. “Ne i kemi dhënë zgjidhje Kosovës, jo atij [Albin Kurtit], duke premtuar votën tonë që në ditën e parë për kandidat konsensual. Nëse ka kandidat të tillë, ne e votojmë”, deklaroi Haradinaj. Ai gjithashtu akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për qëndrim të jashtëligjshëm në post, duke e akuzuar për bllokim të qëllimshëm të institucioneve për qëllime personale. Haradinaj vuri në dyshim edhe legjitimitetin e rezultatit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ajo e ka kaluar pragun zgjedhor falë listës Guxo dhe partisë Alternativa.
