Ramush Haradinaj hap kapitull të ri për AAK-në, tërheqja si akt përgjegjësie dhe forcimi i demokracisë së brendshme

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur një vendim të rëndësishëm politik: tërheqjen nga kandidimi për kryetar të partisë, duke hapur rrugë për një gjeneratë të re drejtuesish brenda AAK-së. Haradinaj e paraqiti këtë hap si veprim të menduar mirë dhe në shërbim të demokracisë së brendshme partiake. Ai theksoi se Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së, ka miratuar trupat zgjedhore dhe rregulloren për zgjedhjet e brendshme, duke nisur zyrtarisht procesin nga nëndegët deri te zgjedhja e kryetarit të ri. Haradinaj bëri të qartë se, pas një periudhe të gjatë në krye të partisë që nga themelimi i saj, ka zgjedhur që këtë herë të mos kandidojë. “Kam pasur nderin ta udhëheq Aleancën që nga themelimi dhe të jem themelues. Kam udhëhequr njerëz të zotë që i kanë shërbyer Kosovës dhe demokracisë. Tani do të kem nderin t’u shërbej atyre,” u shpreh Haradinaj. Ai renditi tri arsye kryesore për vendimin: jetëgjatësinë në drejtim, rezultatin jo të kënaqshëm zgjedhor dhe nevojën për të forcuar demokracinë e brendshme. Sipas tij, AAK ka kuadro të përgatitura dhe energji të reja që mund ta çojnë partinë drejt një faze të re suksesi. Ky vendim po vlerësohet nga mbështetësit si akt lidershipi dhe pjekurie politike, një model i rrallë në skenën politike, ku hapja e rrugës për të tjerët vendoset mbi interesin personal.

Kontrolloni gjithashtu

Mbrojtja e Rexhep Selimit: Qëllimi i tij ishte çlirimi i popullit, jo pushteti personal

Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka deklaruar para trupit gjykues në Hagë se …